Në orët e para të mëngjesit të së premtes ështe ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare mjeshtri i vallës shqipe Rexhep Çeliku. Prej kohësh artisti vuante nga një sëmundje.

Vetëm pak ditë më parë presidenti Ilir Meta i akordoi së bashku me partneren e tij në skenë Lili Cingun titullin e larte ‘Nderi i Kombit’, ndërsa më herët mbante edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Artisti u shfaq i lodhur në ceremoninë e organizuar, duke artikuluar me vështirësi falënderimin për dekoratën.

“Është një gjë e vlefshme jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin”, u shpreh në ceremoni ai.

Rexhep Çeliku lindi me 19 korrik të vitit 1954 në Tiranë dhe u bë solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore kur ishte ende 14 vjeç. Sot repertori i tij artistik numëron rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Dalja e tij e fundit në skenën shqiptare ishte në muajin nëntor, në 60-vjetorin e krijimit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në një dokumentar të posaçëm në Top Channel” për revistën e përjavshme “Exclusive”, Çeliku rrefeu historinë e tij gjysmëshekullore në ansambël.

“U bë një kohë e gjatë, afro gjysmëshekulli. Kam ardhur kur isha 14 vjeç në saj të prof. të madh Panajot Kanaçi. Ai më pa kështu si fizik dhe direkt jam futur në kurs 2- vjeçar. Pas 2 vitesh fituam dhe në shkurt të vitit ’71 unë filloj punë pranë Ansamblit, bëj 47 vite punë në këtë ansambël”, ka thënë në nëntor të 2017 për “Exclusive”.

Homazhet në nder të artistit do zhvillohen të shtunën në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 11:00 – 13:00.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA