Një panair produktesh elektronike “smart” çel dyert në Las Vegas, me mbi 20 mijë artikuj të ekspozuar për publikun.

Plot 4.000 kompani nga 150 vende dhe rajone të botës marrin pjesë në shfaqjen që premton të tërheqë më shumë se 200 mijë vizitorë. Disa prej tyre madje janë nominuar për çmimet e inovacionit, e risitë vërtet nuk mungojnë, siç është rasti i valixhes që të ndjek nga pas.

“Kjo është një valixhe robotike. Në të kombinohen kompjuteri, teknika të pilotit automatik dhe ato të kontrollit të një roboti me rrota. Mund të njohë fytyrën e ta ndjekë pas personin, falë aftësive kompjuterike vizive. Me këtë valixhe, njeriu mund të dalë për një xhiro e të flasë në telefon, ndërsa mban në dorë një filxhan kafeje”, tha Ki Ou, shef ekzekutiv i “Renaissance Robotics”.

Thuhet se përdorimi i kufjeve në një ambient të zhurmshëm nuk është fort i shëndetshëm për veshët. Por me ndihmën e atyre virtuale, individi mund të krijojë një zonë neutrale, duke shmangur kështu dëmet.

“Ne paraqesim kufje virtuale. Këtu ka një sensor që regjistron fytyrën tënde dhe automatikisht shikon veshët. Teknologjia e veçantë e tyre do të të ndjekë në një mënyre dinamike. Kështu, nëse ti lëviz majtas, ajo do të të gjurmojë”, tha më tej ai.

Produktet që ngjallin interesin më të madh duket se janë ato të lidhura me shëndetin. Një kompani franceze ka prezantuar të parin jastëk ajri për ijet, i cili duhet të ndihmojë të moshuarit duke i reduktuar deri në masën 90% pasojat e rrëzimit te moshat e thyera, e në ndryshim nga ai i makinës mund të përdoret sërish.

Top Channel