“Fiks Fare”, garazhi pa leje prish dy shtëpi. IKMT-INUV sorollasin për 9 vite qytetarët

09/01/2018 21:29

“Fiks Fare” denoncoi sorollatjet e dy familjeve në Vlorë nga IKMT-ja dhe INUV-i, të cilat i kanë lënë 9 vite “në pritje” për të prishur një ndërtim pa leje. Ndërtimi në lagjen “28 Nëntori” ka prishur dy banesa me leje.

Në “Fiks Fare” u ankua Feta Deraj, i cili thotë se godina, që më parë ka qenë garazh, është ndërtuar para 15 vitesh ngjitur me shtëpinë e tij.

“Ndërtimi është sipër pusetës së ujërave të zeza. Objekti është ndërtuar në vitin 1997. U ankova në Komunalen e Banesave. Këtë objekt e ka ndërtuar Vladimir Fejzo. Kanë qenë tri garazhe dhe me vendim të Bashkisë së Vlorës në vitin 2009 erdhën dhe u prishën garazhet. Ky u prish përgjysmë dhe godina u ndërtua përsëri dhe u bë më e madhe. Jam ankuar dhe më kanë dhënë të drejtë. Ndërtimi më bllokon dritaret e katit të parë. Pusetat janë brenda në garazh. Kati i parë më doli jashtë funksionit”, thotë Feta Deraj.

Më tej, ai shton se ka shumë vendime për ta prishur, por deri më tani nuk ia kanë arritur.

“Pasi u rindërtua, pronari bëri kërkesë për legalizim. Legalizimi e rrëzoi. Hodhi Bashkinë në gjyq se demek i prishi disa sende. E humbi gjyqin. Bëri kërkesë për studio ligjore, legalizimi ia rrëzoi sërish. I bëmë kërkesë Artan Lames dhe na tha se është e paligjshme. Ky vazhdon me gjyqe se është avokat. Kam shkuar te INUK Vlorë, më thonë se kam të drejtë, se s’kanë mjetë dhe do të vijnë nga Tirana. Me këtë fjalë kam 8-9 vite. Më kanë thënë të gjithë, do e prishin. Kam shkuar te Dallëndyshe Bici, ka bërë vendim për prishje që në vitin 2015. I kanë vënë 5 milionë lekë gjobë. Kërkoj të zbatohen vetëm vendimet e institucioneve”, thotë Feta Deraj.

Në vazhdim ai tregon shtëpinë, ku rezulton se ndërtimi i garazhit është vetëm 7 centimetra larg banesës së tij. “Dritaren ma ka bllokuar. Shtëpitë kanë myk, kanë lagështirë. Banesa e gjitonit është vetëm 7 pond, as 4 gishta larg. Unë e riparova vjet. Gjitoni e ka të pabanueshme shtëpinë”, vijon më tej.

Gazetarët e “Fiksit”, së bashku me ankuesin shkuan të pyesin tek INUV Vlorë. Një specialiste tha se kryeinspektori është pezulluar dhe për rrjedhojë institucioni nuk ka drejtues. Ndërkohë, pas këmbënguljes së gazetarëve paraqitet edhe inspektori, që mbulon edhe rajonin nr. 5, pra territorin ku Feta Deraj ka edhe banesën. Pyetjes se, kur do të prishet ndërtimi pa leje, specialisti i përgjigjet me “kur të vendoset titullari, unë jam njohur me letrat”.

Më tej, ai thotë se “nuk ka ndodhur në kohën time, tani s’ka asnjë zhvillim”.

Pas ankesës së zotit Feta në lidhje me prishjen e objektit, gazetarët shkuan edhe te zyrat qendrore të IKMT-së në Tiranë. Zyrtarët e këtij inspektoriati thanë se, për prishjen e objektit duhet të ndërhyjë Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Vlorës. Sipas tyre, nëse nuk ndërhyn ai inspektoriat, ndërhyn IKMT-ja.

Pas kësaj përgjigjeje, gazetarët shkuan sërish tek Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Vlorës, ku rezultoi se specialistja me të cilën folëm në takimin e parë ishte komanduar në krye të institucionit. Ajo thotë:

“Kur keni ardhur ju, atëherë e morëm informacion, se nuk ia kisha idenë. Është marrë vendim nga INUV Vlorë për prishje dhe zotëria e kishte procesverbalin. Pas atij vendimi objekti është ndërtuar përsëri. Ka marrë vendim Dallëndyshe Bici për ta prishur atë objekt. Unë flas me letra. Atë procesverbalin e kishe edhe ti në dorë. Një vendim i dhënë nga një institucion është e drejtë ta zbatojë ai, IKMT-ja Tiranë. Problemi është sqaruar”.

Pra, deri më sot, megjithëse kanë kaluar vite, këto inspektoriate veçse kanë shkëmbyer shkresa, ndërkohë që objekti pa leje vijon të qëndrojë në këmbë, duke prishur dy banesa.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA