Skandali në Vain–Kune: 500 mijë m2 në zonën e mbrojtur ndahet me ligjin 7501

08/01/2018 20:55

Rreth 50 hektarë në zonën e mbrojtur Kune-Vain të Lezhës janë ndarë me 7501 në kundërshtim me ligjin dhe asnjë nga institucionet nuk kallëzon shkeljet në prokurori, por justifikohen me shkresa, duke hedhur përgjegjësinë tek njëri-tjetri. Fiks Fare denoncoi skandalin pas ankesës së qytetarit Ardian Mlika, i cili ka pesë vite që sorollatet zyrave dhe askush nuk i jep zgjidhje, pavarësisht se prej më shumë se dy vitesh, KLSH ka kërkuar që çështja të dërgohet në prokurori.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan të gjitha institucioneve, duke verifikuar sesi secili prej tyre e “hedh topin” tek tjetri, pavarësisht se të gjithë e pranojnë se për ndarjen e 500 mijë metrave katrorë në Kune-Vain, janë bërë shkelje të rënda ligjore me përgjegjësi penale.

Laguna Kune-Vain është zona e parë e shpallur e mbrojtur në Shqipëri, që në korrik të vitit 1940 nga italianët, të cilët kishin bërë një kontratë shfrytëzimin me pronarët e familjes Mlika. Që nga ai vit, laguna është shfrytëzuar si “Rezervat Gjuetie”, duke e kthyer atë në një nga lagunat më të rëndësishme në vend, ku kohët e fundit ka filluar të pasurohet sërish me shpendë të rrallë. Sipas Zamir Dedej, drejtor i zonave të mbrojtura për ta nuk ka rëndësi së kush është pronari i zonës së mbrojtur, pasi sipas ligjit, këto zona piketohen dhe kanë një plan menaxhimi të miratuar nga shteti pa konfirmimin e të cilit nuk mund të bëhet asnjë ndryshim apo ndërhyrje.

Por, në vitin 2003 më shumë se 500 mijë m2 janë ndarë nga komisioni i ndarjes së tokës, duke ndryshuar zërin kadastral, nga pyll në arë. Nga ana tjetër, pasardhësi Ardian Mlika pretendon se në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka njohur me vendim këtë tokë familjes së tij, megjithëse më parë në kundërshtim me ligjin u ishte ndarë të tjerëve. Për këtë arsye, ai ka disa vite që ankohet pranë Prefektit Lezhë, në KLSH, në Bashkinë Lezhë, në ZVRPP Lezhë, por asnjë nuk reagon.

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare kontaktuan fillimisht me Kontrollin e Lartë të Shtetit. KLSH deklaroi që: “Për këtë çështje, i është kërkuar Prefektit Lezhë të procedojë sipas ligjit në verifikimin e kësaj situate dhe të njoftojë më pas dhe institucionin e KLSH-së”. Pas kësaj, Prefekti ka kthyer përgjigje se janë verifikuar 3 nga 23 tituj pronësie, por pa dhënë shpjegime se çfarë ka rezultuar. Në këto kushte, KLSH nuk ka kërkuar plotësim dokumentacioni, por në muajin korrik ka ushtruar një audit në prefekturën e Lezhës. Nga auditi ka rezultuar se këto tre tituj pronësie janë dhënë në kundërshtim me ligjin, por nuk janë çuar për ndjekje penale personat përgjegjës. Për mosveprim ndaj këtij rasti, KLSH ka kërkuar shkarkimin e Alfred Pepës, drejtor i KVVTP pranë Prefektit Lezhë. Po ashtu, KLSH në korrik të 2017 ka kërkuar nga prefektura të kallëzojë menjëherë përgjegjësit e 3 rasteve të titujve të pronësisë që kanë rezultuar me shkelje ligjore dhe verifikim të rasteve të tjera.

Pas qëndrimit të KLSH, Fiks Fare kërkoi shpjegime në prefekturë nëse është kryer kallëzim për këto tre raste. Specialisti i zyrës së KVVTP-së tha se deri në muajin dhjetor janë verifikuar 4 raste, pra një më shumë se në korrik, por nuk është kryer asnjë kallëzim me pretendimin se janë shumë persona, të cilët preken nga ky kallëzim. I pyetur nëse nuk e bën nga frika, specilaisti i këtij komisioni thotë se kjo nuk ka lidhje.”Ne do ta bëjmë, por janë shumë persona për ndjekje penale që kanë shkelur ligjin. Ka që në vitin 2010 që na ka ardhur ankesa nga Mlikajt, por hipoteka nuk na ka kthyer asnjë përgjigje ndaj edhe puna është vështirësuar”, deklaroi specialisti, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për arsyet që këto dosje mbahen në prefekturë dhe nuk dërgohen në prokurori sipas rekomandimeve të KLSH.

Por, prefektura nuk është e vetmja që nuk kallëzon në prokurori shkeljet, pasi e njëjta situatë ndodh edhe me Bashkinë e Lezhës, e cila ka verifikuar disa nga 23 titujt e pronësisë që pretendohet se janë lëshuar në zonë të mbrojtur, duke ndryshuar zërin kadestral nga pyll në arë. Përgjegjësja e zyrës kadestrale në Bashkinë e Lezhës, Gjelina Bacaj, thotë se kanë verifikuar 5 tituj pronësie në zonën Kune-Vain dhe në secilin prej tyre kanë rezultuar shkelje ligjore. Ajo shpjegon se për këtë arsye kanë njoftuar institucionet për kufizimin e këtyre AMTP-ve, por nuk kanë bërë kallëzim për shkeljet e konstatuara. Për mungesën e kallëzimit, ajo justifikohet me faktin se ka mungesë dokumentacioni dhe nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet e tjera. Gjithashtu sipas saj në këtë zyrë nuk ka asnjë dokument ligjor që e përcakton që kjo është zonë e mbrojtur, sepse në të tilla kushte këto tituj pronësie, sipas saj, nuk do ishin konfirmuar. Ndërsa për sa i takon kompetencave territoriale, nësë zona i takon komunës Shëngjin apo Shënkoll përgjegjësja e kësaj zyre shprehet se edhe për këtë nuk ka asnjë dokumentacion që e përcakton qartë.

Sipas saj të gjitha këto praktika janë konfirmuar nga këshilli i qarkut dhe mbajnë vulën e të njëjtit person që një herë i ka konfirmuar pyll e njeherë arë të njëjtën sipërfaqe.

Fiks Fare u interesua edhe pranë Zyrës së Regjistrimit Lezhë, e cila i vuri në dispozicion gazetarëve një kopje të vetëm 10 praktikave, nga 23 të kërkuara.

Në këto 10 praktika, vihet re se në të gjitha rastet është kërkuar konfirmim nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë këshillit të qarkut pasi

1. ka patur një mosrakordim të zërit kadastral të sipërfaqes së ndarë. Në titullin e pronësisë cilësohet arë ndërsa në hipotekë, figuron kënetë, kullotë,pyll etj.

2. Në atë kohë, komuna Shëngjin dhe ajo Shënkoll cilësojnë që nuk kanë asnjë dokumentacion për ta konfirmuar AMTP-në pasi Komisioni i Ndarjes së Tokës nuk e ka dorëzuar formularin dhe një kopje të dokumentacionit pranë zyrës së tyre. Ndaj në të gjitha shkresat e tyre i kërkojnë zyrës së regjistrimit t’i drejtohen DAMT-së.

3. Drejtoria e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës, pranë këshillit të qarkut, konfirmon AMTP-në edhe pse nuk gjendet libri i ngastrës 1 gusht 1991 i fshatit Grykë Lumi, ndërsa në disa të tjera e konfirmon që është arë në bazë të vendimit të dhënë nga komisioni i tokës. Kopje të vetme të së cilës ka qytetari.

4. Shan Gërdhati është i njëjti person që në vitin 2003 ka qenë anëtar i komisionit të ndarjes së tokës kur janë ndarë këto AMTP dhe në vitet 2013-2014 ka bërë konfirmimin e praktikave të veta, duke qenë drejtor i DAMT-së në Këshillin e Qarkut Lezhë. Ky konfirmim ka vulosur edhe regjistrimin e pothuajse të gjithë titujve të pronësisë në ZRPP Lezhë.

Deri më tani 10 nga këto tituj pronësie janë konfirmuar që janë dhënë në kundërshtim me ligjin nga dy institucione, Prefektura dhe Bashkia Lezhë.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA