E diskriminuar nga paga në punë, dorëhiqet shefja e BBC-së në Kinë

08/01/2018 14:31

Dorëheqja e redaktores së BBC-së për redaksinë e Kinës, Carrie Gracie, ka shkaktuar reagime të mëdha në Britani.

Gracie, një gazetare me shumë eksperiencë, vendosi të largohej pasi ndihej e diskriminuar për pagën që merrte krahasuar me kolegët meshkuj.

Në një letër të hapur, 55-vjeçarja që ka punuar pranë gjigantit mediatik anglez për më shumë se 30 vite, e akuzoi korporatën se ka një “kulturë të fshehtë dhe të paligjshme të pagave”.

BBC këmbëngul se në radhët e saj nuk gjen diskriminim sistematik ndaj grave, por disa figura të rëndësishme si Lyse Doucet, Clare Balding, Emily Maitlis dhe Sarah Montague ngritën zërin në mbështetje të Gracie.

Në krah, asaj i kanë dalë edhe kolegë të disa televizioneve të tjera, si dhe ligjvënësja laburiste Harriet Harman, e ajo konservatore Nadine Dorries.

Të shumtë ishin njerëzit që përcollën përkrahjen e tyre përmes “hashtag”-ut #IStandWithCarrie. Në letrën e vet, gazetarja shkruante se BBC-ja po përballet me një krizë besimi, pasi u mësua se dy të tretat e “yjeve” të saj që fitonin më shumë se 150 mijë paund ishin meshkuj.

Gracie shtonte se mund të kthehej sërish në postin e mëhershëm, nëse do t’i vendosej një pagë e barabartë me të tjerët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA