Aksident i tmerrshëm, treni përplaset me kamionin

04/01/2018 21:58

Të paktën 14 persona humbën jetën dhe mbi 270 të tjerë u plagosën pasi përplasjes së një treni me një kamion në Afrikën e Jugut.

Përplasja bëri që treni të merrte flakë dhe ishte zjarri masiv që shkaktoi viktimat. Përplasja ndodhi në afërsi të qytetit Kroonstad dhe sipas autoriteteve gabimi ishte i drejtuesit të kamionit që nuk respektoi semaforin e kuq ndërsa treni kalonte në kryqëzim.

Gabimit duket se shoferi i mjetit e kuptoi shumë shpejt, pasi tentoi që t’ja mbathte nga vendngjarja, por u ndalua shumë shpejt nga policia. Dëshmitarë okularë thanë se ekipet e emergjencës mbërritën shumë shpejt në vendngjarje, por u detyruan të presin ndërhyrjen e zjarrfikësve që fikën flakën para se të hidheshin në veprim.

Autoritetet lajmëruan se bilanci makabër mund të rritet, pasi vazhdojnë kërkimet për të humbur. Situata ndërlikohet nga fakti se mund të ketë pasur njerëz në tren pa biletë dhe që nuk rezultojnë të humbur pasi nuk figurojnë në listat e pasagjerëve.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel