Zgjedhjet ruse, Moska ka frikën e ndërhyrjes amerikane

28/12/2017 14:16

Skandali i ndërhyrjes së supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane e lëkundi presidencën e Donald Trumpit; i kushtoi postin ish-drejtorit të FBI-së James Comey dhe e ka vënë kreun e ri të hetimit Robert Mueller në kurs përplasjeje me shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Frika se rusët përpiqen të vjedhin zgjedhjet pushtoi gjithashtu disa vende europiane si Franca e Gjermania. Por tani është vetë Moska, ajo që i druhet një fenomeni të tillë, ndonëse jo në rrafshin kibernetik dhe paralajmëron Uashingtonin të mosndërhyrje në zgjedhjet presidenciale ruse.

Shqetësimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendimit për të ndaluar liderin e opozitës Aleksej Navalny që të kandidojë në këto votime, Ministria e Jashtme e Rusisë e konsideron “përzierje të drejtpërdrejtë në procesin elektoral”.

Gjëja më zbavitëse në këtë deklaratë është se ajo bëhet nga të njëjtët persona që u vënë etiketën e agjentit të huaj mediave “Russia Today” dhe “Sputnik”, që persekutojnë mediat ruse në të gjithë botën dhe që investojnë shuma të mëdha parash në “kundërvënien e propagandës ruse”, u shpreh zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova.

Komuniteti amerikan i inteligjencës vazhdon të këmbëngulë se Moska ka ndërhyrë në presidencialet amerikane të 2016-tes me qëllimin të mbështeste kandidatin e preferuar. Disa linja paralele hetimi janë hapur në lidhje me këtë çështje, duke përfshirë edhe atë që po verifikon një marrëveshje te mundshme mes administratës Trump dhe Moskës.

Top Channel