Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbetur në të njëjtin vend në renditjen e FIFA-s për kombëtaret anëtare të këtij institucioni.

Hierarkia globale e vendos formacionin kuqezi të trajnerit Panucci në vendin e 62-të, vetëm një vend poshtë Bregut të Fildishtë, por mbi Arabinë Saudite dhe Rusinë, kjo e fundit organizatore e Botërorit të futbollit vitin që vjen.

Në renditjen e përpiluar nga FIFA për rezultatet e fundit, bie në sy gjithashtu rënia me 3 vende e Kosovës, që tani ndalet në të 177-in e klasifikimit global.

Ndërkohë nuk ka ndryshime në 10 vendet e para të listës së FIFA-s. Gjermania, që është favorite për të rifituar kurorën e më të mirës që meritoi në Brazil, mbetet në krye të listës. Brazili, falë sukseseve të fundit dhe ndryshimeve rrënjësore, mban vendin e dytë në botë, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit është kampionia e Europës, Portugalia.

Në dhjetë vendet e para janë gjithashtu kombëtare si Argjentina, Belgjika, Spanja, Polonia, Zvicra, Franca dhe Kili. Ekipi më i mirë kombëtar nga vendet e Ballkanit është Kroacia, në vendin e 17-të.

Top Channel