Konferenca e EITI, nisma synon të përthithë investimet e huaja

21/12/2017 15:25

Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, EITI në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë organizuan konferencën “Taksat dhe kuadri ligjor i industrive nxjerrëse – rasti i Shqipërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko, Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse Ardit Kamberi, Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë Maryam Salim, si dhe Ervin Mete Drejtor i Kabineti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Drejtori i Sekretariatit Kombëtar Shqiptar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse Ardit Kamberi në fjalën e tij u shpreh se e sheh EITI-n si një vitrinë për investitorët e huaj duke nxitur transparencën si edhe për të ndikuar drejtpërdrejt në thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

“Fokusi i EITI-t, përqendrohet në trajektoren ndërmjet burimeve natyre dhe përftimit publik, ku natyrisht koncentrohet në të ashtuquajturin zinxhiri i vlerave, i cili nis me procedurat koncensionare, me prodhimin mbledhjen e të ardhurave dhe deri te kontributi social dhe ekonomik. EITI kërkon të forcojë shëndetin dhe imunitetin e sistemeve qeveritare si edhe të biznesit po ashtu të nxisë debatin dhe transparencën për interesin publik”, tha ai.

Zëvendësministri Enis Aliko kërkoi një angazhim akoma më të madh edhe nga shoqëritë civile të cilat sipas tij janë jashtëzakonisht të dobishme për këtë Nismë Transparence. Aliko ndër të tjera theksoi se EITI është në procesin e miratimit të draft ligjit “Për transparencën e veprimtarive të industrive nxjerrëse dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në Republikën e Shqipërisë”.

“Qëllimi i këtij ligji është të nxisë dhe sigurojë rritjen e transparencës në veprimtaritë e industrive nxjerrëse në veçanti dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në përgjithësi, përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare EITI. Një ndër objektivat e EITI është edhe rritja e transparencës mbi pronarët ose përfituesit përfundimtarë të aktiviteteve të industrisë nxjerrëse dhe brenda vitit 2020 do të krijohet edhe regjistri i përfituesve përfundimtarë, raportimi i të cilëve do të jetë i detyrueshëm”, u shpreh Aliko.

Një tjetër aspekt për t’u përmirësuar sipas Alikos është edhe përshtatshmëria e marrëveshjeve, lejeve dhe koncesioneve ekzistuese, minerare apo hidrokarbure, me situatën e tregut ndërkombëtar të mineraleve e të naftës dhe me zhvillimet e fundit të kuadrit fiskal dhe ligjor në Shqipëri.

EITI është një koalicion i përbërë nga 51 vende, që synon optimizimin e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore (Minerare, Hidrokarbure dhe Hidroenergjetike) dhe ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, t’i sigurojë institucioneve dhe qytetarëve një bazë për të vlerësuar përdorimin e drejtë burimeve natyrore.

Top Channel