Balet dhe humor, në Durrës shfaqet për herë të parë Coppelia

14/12/2017 14:13

Një nga shfaqjet më të bukura të historisë së baletit, “Coppelia” vjen për herë të parë në Shqipëri, e përshtatur për fëmijë.

Baleti komik u shfaq premiere në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, si një dhuratë fundviti për fëmijët dhe familjet durrsake, falë bashkëpunimit të koreografit Arian Plaku dhe regjisores Driada Dervishi.

“Është kthyer tashmë në traditë që fundi i vitit është një moment ftese që i paraprin vitit të ri me një balet të mirënjohur si “Coppelia” për brezin e ri që do të mbushë sallat e teatrit. Nëse kultivimi i artit nuk nis që herët beteja do të ishte e humbur. Coppelia është një sfidë shumë e bukur e këtij viti.Vendosëm të sjellim bashkë me koreografin një nga baletet më të bukura të historisë së baletit botëror. Dhe pse i shkruar në 1870 ky balet mbetet në repertor nga koreografë të mëdhenj. Surpriza e kësaj here është se ai vjen për herë të parë në Shqipëri i përshtatur për fëmijë. Baleti është ajo formë e teatrit ku mund të luash me fabulën dhe elementët e tjerë. Kostumografia është një element shumë i bukur dhe duke qenë se ngjarjet ndodhin në një fshat ne vendosëm që fshati të jetë shqiptar. Një fshat ku të gjithë janë të veshur me kostume që kanë elemente të kostumeve më të mira të traditës popullore shqiptare”, tha Driada Dervishi, regjisore.

Një histori-përrallë me situata magjike e personazhe realë e surealë ka mbajtur mbërthyer publikun që mbushi plot sallën në natën e parë të shfaqjes. Përveç fëmijëve balerinë, u duartrokit gjatë dhe pjesemarrja e artistes Aishe Stari. Vogëlushët kanë shijuar shfaqjen dhe muzikën e bukur të Leo Delibes.

Baleti “Coppelia”, qe vjen këtë herë me mbështetjen e teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe Ministrisë së Kulturës, do te shfaqet deri ne daten 15 dhjetor ne teatrin e Durresit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA