Mbingarkesa e QSUT, asnjë pacient nga rajonalët pa u konsultuar më parë

12/12/2017 16:37

Zgjidhja për mbingarkesën e mjekëve në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë është gjetur duke mos lejuar më asnjë pacient që të dërgohet nga spitalet rajonale pa u konsultuar më parë me mjekët e shërbimit terciar.

Ndërkohë, mjekët e këtyre shërbimeve do të shkojnë në ditë të caktuara nga spitali ku punojnë që të ofrojnë shërbime në spitalet rajonale kundrejt bonusit prej 10 mijë lekësh në ditë.

“Pra spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbime të specializuara në spitalet rajonale, e për të shmangur kështu mbingarkesën e spitaleve të Tiranës, por mbi të gjithë për të ofruar shërbimin shëndetësor aty ku janë nevojat. Asnjë spital rajonal nuk do të dërgojë pacientë direkt në spitalet universitare pa ndjekur sistemin e referimit të brendshëm”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në janar, në Spitalin Shefqet Ndroqi nis të funksionojë urgjenca kardiake . Në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Universal, ministrja Manastirliu ka shpalosur katër shtylla kryesore të politikave që do të ndërmerren në shëndetësi.

“Investim për shëndetin e njerëzve gjatë gjithë jetës, mbulim shëndetësor universal, fuqizim i sistemit shëndetësor duke vendosur në qendër qytetarin, përmirësim i qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërsektorial për shëndetin”, deklaroi ministrja.

Sipas Manastirliut, partnerirteti publik-privat për laboratorët do të shtojë gamën e analizave nga 70 lloje që bëhen aktualisht në shërbimin publik, në 164.

Top Channel