Njësitë vendore dhe bizneset përkrah rrjedhave ujore të Drinos dhe Vjosës janë përcaktuar përgjatë viteve të fundit si ndotësit kryesorë të tokës, e sidomos të ujit.

Vetëm në sheshgrumbullimin e Bashkisë së Gjirokastrës grumbullohen çdo ditë rreth 64 metër kub mbetje urbane, edhe pse kjo nuk është sasia e përgjithshme që kjo bashki me 54 mijë banorë prodhon çdo ditë. Një pjesë e madhe e mbetjeve janë shtresëzuar prej më shumë se dy dekadash në përrenjtë malorë që përshkojnë të gjithë qytetin e Gjirokastrës.

Në një të ardhme të afërt, në këtë vendgrumbullim mbeturinash në Gjirokastër nuk do të ketë më vend për mbetje, kurse derrat dhe sorrat do të nginjen mes plehrash.

Çdo vit, mbi 20 mijë metra kub mbetjesh depozitohen në vendgrumbullimin e Gërhotit. Agjencia e Shërbimeve Publike në Gjirokastër ka 5 mjete, nga të paktën 9 që i duhen. Kësaj ndërmarrjeje i mungojnë edhe 250 kontenierë.

“Ne kemi pamundësi për të mbledhur për shkak të terrenit. Këto mbetje janë të akumuluara prej vitesh nëpër përrenj dhe nëpër zona shumë të vështira, nga ku është vështirë për t’i nxjerrë dhe ku është vështirë për të futur punëtorët për të pastruar këto zona. Përveç kësaj është edhe siguria e punëtorëve për t’u futur në këto terrene për të punuar, sepse nëpër përrenj mund të gjejmë gjithçka që rrezikon edhe jetën e tyre”, thotë Het’hem Seferi, kreu i Agjencisë së Shërbimeve Publike, Bashkia Gjirokastër.

Sipas Inspektoriatit të Mjedisit, në Qarkun e Gjirokastrës, asnjë prej 114 bizneseve që aplikojnë për leje mjedisore nuk është i klasifikuar si ndotës i mesëm apo i lartë. Por, megjithatë, ndotja plastike po arrin parametra alarmante, sidomos në ujë.

Një tjetër tregues i ndotjes katastrofike, sipas biologëve, është edhe zhdukja e lundërzës nëpër lumenj dhe rrallimi i peshqve të ujërave të pastra.

Top Channel