Është bllokuar lëvizja në aksin nacional Elbasan-Tiranë për shkak të rrëshkitjes së një masivi të konsiderueshëm shkëmbor pranë fshatit Mamël, dy kilometra larg tunelit.

Shkëmbi është rrëzuar rreth orës 03:00 të së shtunës si pasojë e reshjeve të shiut, duke bllokuar lëvizjen nga Elbasani në drejtim të Tiranës, e cila aktualisht kryhet nga rruga e vjetër e Qafë-Krrabës.

Krahu i kundërt, ai nga Tirana në drejtim të Elbasanit është i hapur dhe funksionon normalisht.

Autoriteti Rrugor ka ndërhyrë bashkë me firmën e mirëmbajtjes duke vendosur sinjalistikën paralajmëruese si dhe po punohet për të rihapur plotësisht kalimin.

Aksi rrugor pritet të qëndrojë i bllokuar për një afat të pacaktuar për shkak të sasisë së madhe të gurëve që kanë rënë në rrugë dhe punimeve për rivendosjen e barrierave mbrojtëse për të shmangur përsëritjen e rrëshkitjes.

Kjo është shembja e tretë e regjistruar në këtë aks që ka çuar në bllokimin e qarkullimit, pas shembjes së madhe të kodres në Ibë dhe pas një shembjeje të dytë pak më tej.

Rruga e re Elbasan –Tiranë u vu në funksion të pjesshëm 6 vjet më parë, përpara zgjedhjeve të vitit 2013 duke u menduar si një investim që do të kishte impakt të drejtpërdrejtë elektoral. Por nuk kanë qenë të pakta rastet kur edhe pjesa e cila u vu në funksion herë pas herë bllokohej pikërisht për shkak te punimeve dhe me e keqja, rrëshkitjeve të tokës.

Më e madhja ndodhi në kodrat e Ibës, i gjithë masivi shkëmbor u shemb. Kosto e rrugës është 335 milionë dollarë dhe qeveria aktuale akuzoi qeverinë e kaluar se kishte miratuar një projekt problematik dhe për të riparuar dëmet e mëdha u deshën edhe 35 milionë dollarë shtesë.

Fondi u miratua dhe u premtua se në dhjetor rruga do përfundonte edhe në segmentet e mbetura të saj, por rrëshkitja e fundit në pjesën e rrugës së përfunduar tregoi se problemet nuk kanë përfunduar. Ndërsa po punohet per heqjen e shkëmbinjve dhe hapjen e rrugës, pyetja është: A do kërkohen para të tjera shtesë për këtë rruge.

FOTO GALERI
13/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA