Ka ndodhur më herët që grupe prej 4 apo 5 pedagogësh të Liceut Artistik të ndërrojnë vendet me nxënësit e tyre, duke u ngjitur ata në skenë përmes koncerteve të ndryshme.
Por është e para herë që thuajse i gjithë stafi akademik i Liceut Artistik të përfshihet në këtë nismë për të sjellë një kartolinë urimi muzikore për nxënësit dhe prindërit e liceut për festat e fundvitit.
“Menduam që të ishte një buqetë tingujsh për t’ua dhuruar nxënësve, për t’ua dhuruar komunitetit të prindërve, të cilët raportin me ne e kanë pasur gjithmonë brenda shkollës, por këtu krijojnë një raport duke na parë edhe neve në skenë. Lindi si një ide e koleges sime, Valbona Simixhiu, pianiste e vjetër, e cila tha “pse mos të bëjmë edhe ne të gjithë një koncert dhe me këtë rast të përshëndesim që të gjithë, një koncert festash”, thotë Klodi Zheji, Drejtore Artistike, Nendrejtore – Liceu Artistik “Jordan Misja”.
“Unë e kam provuar edhe më parë dhe gjithmonë nxënësit më kanë thënë “kemi ndjerë më shumë emocione kur ishim në sallë profesor” kështu që shpresoj që si nxënësit tanë, si publiku, të ndiejnë emocionet që kemi edhe ne dhe që duam tua transmetojmë atyre. Ne nuk jemi vetëm në kuadrin pedagogjik, por jemi edhe artistë solistë në këtë rast dhe ky është një mesazh i mirë që ne përçojmë në këtë prag festash , thotë ”, Denis Bizhga, Shef i Departamentit te Kitares-Liceu Artistik “Jordan Misja”.
Buqeta me tinguj klasikë përzgjedhur nga kompozitorët më të njohur botërorë vjen në sallën e katedrales së Kishes Ortodokse mbrëmjen e 7 Dhjetorit.
Top Channel