Situata në fshatrat përgjatë shtratit të lumit Vjosë vjen duke u rënduar. Lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa shtëpi pranë Urës së Mifolit si edhe dhjetëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore.

Në gatishmëri janë drejtuesit e bashkisë së Fierit, forcat ushtarake me mjetet e tyre, si edhe policia e shtetit. Disa familje janë shpërngulur nga frika e përmbytjes ndërsa të tjerë janë evakuuar nga ushtria.

Në gatishmëri janë rreth 100 forca të ushtrisë, policisë, pushtetit vendor, si edhe një helikopter ushtarak.

Kryebashkiaku i Fierit i bën thirrje banorëve që kanë shtëpitë në zonat që rrezikohen nga përmbytja, që të shpërngulen për të qenë të sigurt.

Gjatë natës në Fier është ndërprerë energjia në 23 fshatrat e njësive administrative Levan dhe Frakull si pasojë e defekteve në izolatorët e shtyllave te tensionit të lartë.

Shtabi i Emergjencave të Vlorës është aktualisht duke koordinuar punën edhe me qarkun e Fierit.

Lumi Vjosa në Përmet ndërkohë ndodhet afër pikës kritike, por nuk e ka kaluar atë. Dhe kjo duket se ka një shpjegim që ia jep sinoptikani grek, i cili parashikoi pak ditë më parë situatën e pazakontë. Çfarë do ndodhë në orët e ardhshme dhe sidomos në malet e Pindit ku buron Vjosa pranë kufirit greko-shqiptar?

“Për fat të keq u vërtetuan parashikimet për sa i përket sasisë së ujit që sollën reshjet dhe duket se megjithëse do kemi një përmirësim të kohës gjatë ditës së shtunë, pasi fenomenet do të përmirësohen, do të kemi pra një mot më të mirë të shtunën, me rrebesh lokal dhe më të dobëta. Ajo që duhet të kemi kujdes është nata e së shtunës duke u gdhirë e diela sepse do kemi përsëri shi dhe shtrëngata shiu, që do mbajnë pak, por do të jenë më të fuqishme. Dhe për shkak se toka është e tejngopur me ujë nuk përjashtohet mundësia e fenomeneve që kishim në orët e kaluara”, u shpreh për Top Channel sinoptikani grek.

Sipas tij duhet kujdes deri të hënën në mëngjes ku do të kemi përsëri disa shtrëngata lokale shiu, por edhe këto shira që nuk do të kenë sasi kaq të mëdha uji, mund të shkaktojnë përmbytje të njëjta.

Top Channel