Dy automjete të eskortës së kryeministrit Rama u përfshinë në një aksident në aksin Maliq-Korçë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30 të së hënës, pranë fshatit Bulgarec, ku në përplasje u përfshinë edhe dy automjete që udhëtonin në krah të kundërt me eskortën.
Gjashtë persona mbetën të plagosur dhe u dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital. Katër prej tyre, mes të cilëve 3 gardistë, kishin dëmtime të lehta.
Gjendje serioze për jetën ka gardisti Ervin Musai, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Burimet spitalore shpjeguan se, nëse gjendja e tij nuk do të përmirësohet në orët në vazhdim, ai do të dërgohet drejt Turqisë për mjekim më të specializuar.
Ndërsa në Spitalin e Korçës, nën kujdesin mjekësor është edhe drejtuesi i mjetit tip “Golf”, që u përfshi në aksident.
Dyshohet se aksidenti u shkaktua nga lagështia në rrugë dhe mosrespektimi i shpejtësisë nga drejtuesi i mjetit tip “Golf”, i cili goditi një “Range Rover” që udhëtonte para tij, e më pas makinën e katërt në radhë të eskortës, e cila doli nga rruga.
Një grupi i posaçëm hetimor, i drejtuar nga Prokuroria lokale, shkoi në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Top Channel