Rinumërimi i më shumë se 440 vendvotimeve në komuna të ndryshme, nga zgjedhjet për Kuvende Komunale që u bënë javën e kaluar, ka sjellë disa ndryshime në listën e kandidatëve që me shpalljen e rezultateve përfundimtare kishin siguruar vende në asambletë rajonale.
Bëhet fjalë për 14 ndërrime në komuna, në të gjithë Kosovën. Subjektet politike mbeten me të njëjtin numër vendesh, ashtu siç është bërë e ditur në ditën kur KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për kuvende komunale, por ndryshime kanë ndodhur në disa raste brenda listës së subjekteve.
Kështu, ka pasur 5 ndërrime për AAK, 3 për PDK, 2 për LDK dhe 2 për Vetëvendosjen. Ndërkohë, numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë ka përmbysur rezultatin në Komunën e Istogut.
Përpara numërimit të këtyre votave, Haki Rugova i LDK-së udhëhiqte me 671 vota, kundrejt Gani Dreshajt të AAK-së, por rezultati tani ka ndryshuar në favor të këtij të fundit, që në total rezulton të jetë përpara me 30 vota.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se procesi i zgjedhjeve në Istog është manipuluar dhe shtoi se personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë.
Top Channel