Në vizitën e saj të parë në Kosovë, kryetarja e dhomave të specializuara, Ekaterina Trendafilova, u zotua se gjykata e drejtuar prej saj do të jetë e paanshme dhe e pavarur.
Ajo konfirmoi se ende nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj ish pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rrëzuar kështu pretendimet nëpër media. Në një fjalim për përfaqësuesit e shoqërisë civile, Trëndafilova ofroi detaje mbi funksionimin e kësaj gjykate.
“Dhomat e Specializuara janë krijuar që të hetojnë krimet e luftës, për të siguruar gjykime të drejta, duke gjykuar individë dhe jo organizata. Dhomat e Specializuara e respektojnë barazinë për të drejtat e viktimave”, u shpreh Ekaterina Trëndafilova, kryetare e Gjykatës së Posaçme.
Ajo shtoi se Dhomat e Specializuara do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve të mbrojtur.
E njohur me emrin Gjykata Speciale për Krime Lufte, mandati i Gjykatës lidhet kryesisht me hetimet dhe gjykimet lidhur me krime të pretenduara nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000. Nga data 6 korrik, është konfirmuar se këto Dhoma mund të procedojnë edhe me arrestimet dhe gjykimet eventuale.
Top Channel