Në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për zbatimin e projektit pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, përmes të cilit nxënësit e katër shkollave 9-vjeçare në Tiranë do t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në mjediset e shkollës.
Projekti do të ofrojë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17.00, nga e hëna në të premte, dhe prej tij do të përfitojnë fillimisht 3000 fëmijë, vajza dhe djem, nga mosha 6-15 vjeç, që ndjekin shkollat ku do zbatohet projekti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideroi këtë projekt si një nga vendimet më të rëndësishme që miraton ky këshill dhe që kërkon të sjellë një transformim të mënyrës së funksionimit të shkollave në Tiranë.
“Projekti mundëson që fëmijët e shkollave periferike, në komunitete me popullsi rome, egjiptiane, pra komunitete që janë në vështirësi ekonomike, të vazhdojnë të rrinë në mësim, në grupe speciale, t’u ofrohet edhe dreka në shkollë. Të kenë mundësi që me një mentor të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të kenë mundësi të përgatiten për të nesërmen në shkollë. Një pjesë e madhe e tyre humbet shumë nga çasti që lë shkollën dhe kthehet në rrugë, ndaj besoj se kjo është mënyra më e mirë se si për 66 shkolla 9-vjeçare publike me rreth 47.406 nxënës, të përzgjedhim ata që janë më nevojtarë dhe ata që kanë nevojat më të mëdha për t’u sistemuar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas këtij vendimi, fëmijët pas procesit mësimor do konsumojnë ushqimin, më pas do zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas do rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Aktivitetet pas shkolle do hartohen nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe do ketë aktivitetet e dedikuara për të. Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë. Projekti do të shtrihet fillimisht në 4 shkolla 9-vjeçare me synimin që në varësi të suksesit të tij të mund të shtrihet edhe në shkolla të tjera në kryeqytet.
Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe te buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm, ku theksoi se ai vjen në masë 15% më i lartë se buxheti aktual, ndërsa bëri të ditur se një vëmendje e theksuar e investimeve që ai do të mbulojë i përkasin zonave periferike, periurbane dhe rurale të Tiranës, duke synuar që brenda vitit 2019 të çohet urbanizimi i plotë kudo ku banojnë qytetarë të Tiranës.
Ai tha se vetëm në këtë vit janë rreth 200 rrugë të reja në Tiranë. “Kemi pasur një dyvjeçar të ngjeshur, sidomos me punët nëpër blloqe pallatesh. Kemi pasur 200 ndërhyrje në vit , praktikisht thuajse çdo ditë pune ka një ndërhyrje. Kështu që, do të sjellim në këshill një paketë të re me rreth 200 ndërhyrje në Tiranë dhe po të mbajmë këtë ritëm, deri në fund të mandatit thuajse do kemi prekur çdo bllok, edhe çdo lagje. Fokusin më të madh në dy buxhetet e ardhshme do ta kemi kryesisht në zonat periferike dhe periurbane”, u shpreh Veliaj.
Top Channel