Kur vjen puna tek udhëtimet, misteret e mbetura në Europë janë të pakta.
Kontinentit aq të dashur e të përndjekur nga turistët i kanë mbetur shumë pak qoshe të fshehura, veçanërisht buzë detit. Por nëse i hedh një tjetër vështrim hartës, një xhep relaltivisht i panjohur mund të të tërheqë vëmendjen; Shqipëria, e cila është si ajo pjesa që i mungon një pazëlli gati të kompletuar.
Me këto fjalë e nis britanikja “Telegraph” materialin e titulluar, ‘A është Shqipëria, destinacioni i ri i pushimeve në Europë’.
E pozicionuar pranë vendeve të tjera të dyndura nga pushuesit që vijnë nga e gjithë bota, të tilla si Greqia apo Kroacia, paketat turistike për Shqipërinë janë thuajse të padëgjuara për shumë vetë, pavarësisht bregdetit mbresëlënës prej 427 km.
Në një event të rrallë, vijon “Telegraph”, Shqipëria laget jo nga një, por dy dete, ai Adriatik dhe Jon të cilët takohen në Gjirin e Vlorës. Distanca e shkurtër me qytetin italian të Puglias, dëshmon pozicionin e mrekullueshëm të këtij vendi ballkanik.
Ndërsa përmend bukuritë e plazheve tona, media thotë se ajo që ndoshta ka penguar britanike të vërshojnë drejt tyre, është aksesi. Shqipëria është një prej të vetmeve që ka mbetur imune ndaj fluturimeve low cost që i bien kryq e tërthor Europës.
“Telegraph” kujton se vendi ka vetëm një aeroport funksional ndërkombëtar, i cili siç thotë, është kthyer në një pengesë për ata që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë. Megjithatë e përditshmja shton se gjërat po ndryshojnë me ndërtimin e aeroportit të Kukësit.
Një tjetër problem sipas medias britanike janë akomodimet. Mungesa e resorteve luksoze dhe blloqet e larta të betonit mund të mos i përmbushin pritshmeritë e britanikëve, thotë ajo. Pavarësisht kësaj, vijon “Telegraph”, Shqipëria është një vend intrigues që duhet vizituar. Me pasuritë e saj arkeologjike, ajo mund të rivalizojë edhe Italinë.
Top Channel