Përqafime të padëshiruara, largohet shefi i “Pixar e Disney”

22/11/2017 09:55

Tani nuk mjaftojnë vetëm akuzat për ngacmime seksuale për të rrëzuar një figurë të rëndësishme në “Hollywood”.

John Lasseter, kreu i filmit të animuar te “Pixar dhe Disney” ka vendosur të shkëputet për një kohë të papërcaktuar pas akuzave për sjellje jo të hijshme.

Ish-pjesëtarë të stafit të tij, por edhe punonjës aktualë i thanë “Hollywood Reporter” se, “shefi” jepte pa hesap përqafime të padëshiruara e pushtonte hapësirën e tyre private.

Të tjerë burime pretendojnë se Lasseter njihej për prekjet me duar, puthjet apo komentet e pakëndshme. Vet 60-vjeçari, përmes një deklarate kërkoi ndjesë për gabimet e tij dhe çdo gjest tjetër me të cilin mund ta ketë kaluar masën.

“Ju të gjithë si kolektiv jeni shumë të rëndësishëm për mua, e më vjen shumë keq nëse ju kam zhgënjyer, – u shpreh ai, duke shtuar se, – pavarësisht sesa dashamirës mund të ketë qenë synimi im, çdokush ka të drejtën t’i vendosë vet kufijtë e tij dhe të tjerët duhet t’i respektojnë”.

Bashkëthemeluesi i studios filmike “Pixar” do të tërhiqet për 6 muaj, një lëvizje kjo e justifikuar me “nevojën e të kujdesurit për veten”. Si numri një i kreativitetit, si për “Pixar”-in, ashtu edhe për “Walt Disney”-n, Lasseter konsiderohet një prej forcave kryesore shtytëse të kësaj industrie dhe qëndron pas disa prej filmave më të suksesshëm vizatimorë të dy dekadave të fundit.

Ai ishte regjisori i “Toy Story”, “Jeta e një milingone” dhe “Makinat”, ndërsa ka edhe kredite të mëdha produksioni te “Finding Nemo”, “Wall-E” dhe “Frozen”.

Top Channel