Tirana do të ketë stendën e vet në panairin e Brukselit, “Winter Wonder”, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ftoji bashkëatdhetarët të vizitojnë stendën duke e konsideruar një mundësi fantastike për tu promovuar.
Kreu i bashkisë është takuar me delegacionin që do të përfaqësojë Tiranën në panairin që zhvillohet nga 24 nëntori deri më 31 dhjetor.
“Jam shumë i lumtur që i urojmë rrugë të mbarë një superdelegacioni nga Shqipëria, kryesisht nga Tirana, për Panairin e Vitit të Ri në Bruksel. Ne do të kemi stendën kryesore të Panairit të Brukselit, të mbushur me produkte shqiptare, muzikë shqiptare, kostume shqiptare, do të flasim shqip, do të kemi vallëzime dhe shumë aktivitete, pothuajse në të gjitha 40-të netët e Brukselit. Panairi do të jetë i hapur duke filluar nga data 24 Nëntor e deri për Vitin e Ri dhe besoj se s’ka për të pasur Krishtlindje dhe një Vit të Ri më të mirë, se sa duke vizituar stendën tonë për ushqimet, kulturën, muzikën dhe shoqërinë shqiptare”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se ky panair do të jetë një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes bizneseve vendase dhe atyre të huaja, për t’i dhënë një impuls pozitiv ekonomisë. “Mezi pres që të lidhim marrëdhënie të reja, partneritete, të lidhim shoqëri dhe miqësi apo të lidhim biznes me shumë prej atyre që do takojmë atje, qofshin këta shqiptarë a të huaj, dhe ju uroj që të vini të gjithë faqebardhë dhe të keni një 40-të ditësh fantastik”, deklaroi Veliaj.
Panairi i Brukselit është një nga më të mëdhenjtë në Europë, që vizitohet çdo vit nga më shumë se 2.000.000 vizitorë nga e gjithë bota.
Shqipëria do të përfaqësohet me një seri aktivitetesh si Konferenca Ndërkombëtare “Tiranë – Bruksel, rrugëtimi historik i shqiptarëve”; takimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre europianë; vendosje të marrëdhënieve bashkëpunuese midis operatorëve turistikë shqiptarë dhe europianë, si dhe një seri eventesh dhe programesh artistike-kulturore. Po ashtu, Tirana do të ketë hapësirën e saj në qendër të Brukselit për të promovuar produktet tradicionale shqiptare, sikurse janë produktet artizanale, prodhimet e kuzhinës shqiptare etj.
Top Channel