Indi, kërcënime për protagonisten, shtyhet shfaqja e filmit

21/11/2017 17:05

Producentët e një filmi indian të “Bollywood”-it shtynë premirën e tij, pas shqetësimeve për sigurinë e protagonistes femër, që ka marrë kërcënime për jetën nga radikalët hindu.

Filmi “Padmavati” tregon historinë e një mbretëreshe Hindu të shekullit të XIV me të njëjtin emër, që i përkiste kastës së lartë “Rajput” dhe një sundimtari mysliman.

Ylli i “Bollywood”-it dhe një nga më të mëdhenjtë në Indi, Deepika Padukone luan rolin e mbretëreshës hindu, dhe sipas policisë së Mumbait, siguria e saj është shtuar që prej nëntorit, kur një grup radikal hindu kërcënoi se do t’i priste hundën.

Filmi ka zemëruar tej mase hindutë dhe kastën e lartë “Rajput”, pasi raportohet se në të përfshihet një skenë ku mbreti mysliman ëndërron një raport intim romantik me mbretëreshën hindu. Megjithëse producentët e kanë mohuar ekzistencën e kësaj skene, zemërimi i hinduve nuk është pakësuar aspak, madje është rritur bashkë me nivelin e kërcënimeve ndaj aktores Padukone.

Së fundmi, Suraj Pal Amu, një deputet i partisë së kryeministrit indian Narendra Modi, ofroi 1.6 milionë dollarë për atë që do t’i presë kokën aktores. Jo vetëm kaq, por autoritetet lokale në zona të ndryshme të vendit thonë se nuk do të lejojnë shfaqjen e filmit, pa hequr skenat e papranueshme.

Padmavati është personazh imagjinar i një poeme të shekullit të XVI, që tregon sesi mbretëresha dogji veten bashkë me trupin e burrit të vrarë në betejë, për të ruajtur nderin nga pushtuesit myslimanë. Ekspërtët thonë se një reagim kaq i madh ndaj filmit, shtyrja e tij dhe pasiviteti i autoriteteve janë një sinjal alarmant për lirinë e fjalës në demokracinë më të madhe në botë.

Top Channel