Operacioni i policisë “Forca e Ligjit” do të shtrihet brenda dhe jashtë Shqipërisë është shprehur drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Forca e ligjit” do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj me partnerët strategjikë që do të thotë luftë pa kompromis ndaj çdo veprimtarie kriminale”, tha z. Çako.
Ndërkaq, masave të policisë për sigurinë rrugore do t’i vijë në ndihmë edhe vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar me plotësimin e sinjalistikës dhe të gjitha masat e tjera.
“Policia në bashkëpunim me Entin pronar të Rrugëve është duke intensifikuar punën për të rritur në kapacitete maksimale sigurinë e qytetarëve duke rritur sinjalistikën dhe gjithë masat e tjera që përcjellin informacionin e nevojshme për të respektuar normat rrugorë. Gjithashtu policia është duke intensifikuar punën lidhur me aftësinë teknologjike të kontrollit por dhe duke sensibilizuar përmes shkollave dhe institucioneve të tjera pasojat që mund të vijnë nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, tha Çako.
Ndërsa kreu i ARRSH tha se ka disa vite që është investuar në sinjalistikën rrugore dhe është bërë një projekt i veçantë për pikat e zeza, pra, nivelin më të lartë të aksidenteve, dhe ky projekt i është dhënë kompanive të mirëmbajtjes.
Top Channel