Lidhja Demokratike e Kosovës është ajo që ka fituar numrin më të madh të komunave pas balotazhit të së dielës, bazuar kjo në rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
LDK-ja ka marre 8 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7, që do të thotë 4 më shumë se mandatin e kaluar, PDK-ja ka fituar vetëm 5 komuna dhe Vetëvendosja 3, duke përfshirë këtu Prishtinën ku ishte dhe lufta më e ashpër të cilën e fitoi Shpend Ahmeti.
E njëjta forcë politike mori edhe Prizrenin. Pas shume vitesh qeverisjeje të partisë Demokratike të Kosovës, rezultatet paraprake e nxorrën fitues kandidatin e Vetevendosjes, Mytaher Haskuka, me gati 300 vota më shumë se kundërshtari i tij. Nisma dhe AKR kanë fituar nga një komunë. Dy komuna do të qeverisen nga kandidate të pavarur.
Zgjedhjet kanë qenë përgjithësisht të qeta edhe pse nuk mungoi ndonjë parregullsi si ato të raundit të parë të natyrës së votimeve familjare apo përpjekjes për votim të dyfishtë.
Pjesëmarrja ishte rreth 40%, që do të thotë edhe më e ulët se në raundin e parë të 22 tetorit. Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe vëzhgues nga Bashkimi Evropian.
Tashmë pas balotazhit që të dhjetë komunat me shumicë serbe drejtohen nga Lista Serbe, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Në Parteshin e banuar më së shumti nga serbe u përsëritën zgjedhjet e anuluara pas parregullsive që u shënuan në raundin e parë. Në këto komuna, nga sa pohojnë vëzhguesit europianë, procesi nuk ka qenë tërësisht demokratik, sepse “janë evidentuar presione tek zgjedhësit që të votohet vetëm për një subjekt, i cili në këtë rast ishte lista “Srpska”.
Top Channel