Zgjedhjet në Kosovë, procesi i qetë, pjesëmarrja e ulët

19/11/2017 15:17

Për të rejat më të fundit mbi zgjedhjet e sotme në Kosovë, i lidhur drejtëpërdrejt nga Prishtina me studion e lajmeve të Top Channel ka qenë zëdhenësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Valmir, përshëndetje! Si po ecën procesi i votimit deri në këto çaste që flasim dhe sa është pjesëmarrja?

Valmir Elezi: Në KQZ po grumbullojmë të dhënat nga të gjitha qendrat e votimit. Të fundit janë ato të orës 11, ku pjesëmarrja ka qenë rreth 7 për qind. Është e kuptueshme që paradite të jetë numër i ulët i votuesve, por ai do të rritet në orët në vazhdim dhe ato të fundit.

Nga trendi i deritanishëm duket se pjesëmarrja do të jetë më e ulët se në raundin e parë?

Valmir Elezi: Mund të ndodhë kështu po të kemi parasysh se në raundin e parë për zgjedhjet lokale kemi patur më shumë pjesëmarrje të partive, kemi patur rreth 7 mijë kandidatë të certifikuar për këshillat bashkiakë. Megjithatë do të presim fundin e ditës për të parë nëse pjesëmarrja do të jetë e njëjtë me zgjedhjet e tetorit, apo më e ulët. Krahasimet për pjesëmarrjen bëhen vetëm me komunat, që janë në këtë raund të dytë.

Valmir, a janë verifikuar probleme?

Valmir Elezi: Me rëndësi është se deri në këto momente procesi ka vijuar mirë, nuk ka pasur asnjë problem dhe shpresojmë që deri në fund të ditës gjithçka të kalojë e qetë.

Top Channel