Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka mbyllur përgatitjet për balotazhin e së dielës që mbahet në 19 komuna.
Nën mbikëqyrjen e policisë, materialet zgjedhore do të shpërndahen nesër në qendrat e votimit.
Fushata zgjedhore këtë radhë zgjati 5 ditë. Gjatë këtij raundi të dytë, të drejtën të hedhin votën e tyre e kanë gati 1 milion e 400 mijë persona.
KQZ-ja ka angazhuar për këtë qëllim më shumë se 14 mijë komisionerë dhe mbi 12 mijë vëzhgues të akredituar.
Balotazhi do të ndiqet me kujdes edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”, i cili do të angazhojë nga ana e tij rreth 1.800 monitorues.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes një deklarate për media bëri të ditur se janë bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë procesit zgjedhor.
Në balotazhin e së dielës, Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 12 komuna, PDK-ja në 9, Vetëvendosja në 6, AAK-ja në 5 komuna, ndërsa Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa luftojnë secili në një të tillë.
Gara më e ashpër është ajo për Prishtinën, ku përballen Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes dhe Arban Abrashi i LDK-së. Gjatë votimit më 22 tetor, Lista Serbe arriti të triumfojë në 9 komuna. Pjesëmarrja e ulët në votime shkaktoi atëherë reagimin e shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila u kërkoi kosovarëve të mos e humbasin rastin që të votojnë për të ardhmen e tyre.
Top Channel