Presidenti çek Milos Zeman akuzon BE-në për standard të dyfishtë sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Nga njëra anë është Kosova, ku Kombet e Bashkuara ofruan garanci, të cilat më pas nuk u respektuan, e në anën tjetër Krimeja, ku është mbajtur referendumi. Këto janë dy standarde dhe kjo është një politikë e gabuar”, citon fjalët e tij agjencia ruse e lajmeve “TASS”.
Numri një i Pragës iu referua faktit se Organizata e Kombeve të Bashkuara garantuan autonominë e Kosovës si pjesë e ish-Jugosllavisë dhe komuniteti ndërkombëtar lejoi bombardimin e Serbisë.
Zeman thekson se, fakti që ai është i vetmi politikan europian që mbështet haptazi këtë teori, nuk nënkupton se udhëheqës të tjerë nuk kanë opinione të ngjashme. Sipas tij, atyre u mungon guximi për të shprehur në publik mendimin e tyre.
Presidenti çek deklaroi se ribashkimi i Krimesë me Rusinë ishte tanimë një fakt i mbaruar dhe se Rusia e Ukraina duhet të bien dakord nëse Moska do të ofrojë kompensim “në formë financiare, apo të naftës dhe gazit”.
Milos Zeman paralajmëroi se një “luftë europiane” mund të fillonte, nëse Ukraina do të refuzonte kompensimin nga Rusia. I njohur për qëndrimin e tij prorus, presidenti çek do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Rusi nga data 20 deri më 24 nëntor.
Top Channel