Të hënën paralajmërimi dhe pa u mbushur 48 orë, aksioni. Ushtria e Zimbabves siç premtoi nuk qëndroi duar kryq ndaj krizës politike në vend, megjithëse ndërhyrjen e saj nuk e cilësoi grusht shteti.

Ushtria mori kontrollin e televizionit kombëtar ZBC dhe tha se aksioni i saj ka në objektiv kriminelët. Gjeneral Majori Sibusibo Moyo u shfaq në ekran tha se nuk bëhet fjalë për grusht shteti dhe as marrjen e kontrollit të vendit nga ushtria, ndërsa theksoi se presidenti Robert Mugabe dhe familja e tij janë të sigurt.

Moyo gjithashtu tha se qeveria është në funksion të plotë dhe se ushtria thjesht po shënjestron kriminelët rreth saj dhe presidentit që kanë shkaktuar vuajtjet sociale dhe ekonomike në vend. Një deklaratë mjaft e mjegullt që bashkë me breshëritë e armëve në kryeqytetin Harare edhe pranë rezidencave qeveritare, nuk jep asnjë mesazh sigurie.

Ushtria nuk përmendi emra, por sipas mediave ka edhe ministra të arrestuar. Ndërsa ambasadat e huaja i kanë këshilluar shtetasit e tyre të Zimbabve të mos dalin nga banesat, duket se ushtria ka preferuar të mos e quajë lëvizjen e saj grusht shteti, megjithëse është pikërisht e tillë.

Top Channel