Natë shqiptare në MTV. Rita prezanton, çmime për Dua Lipën dhe Ermal Metën

13/11/2017 16:05

“MTV European Music Awards” u shndërrua këtë herë në mbrëmjen e shqiptarëve. Rita Ora pushtoi skenën si prezantuese e ceremonisë së shumëpritur; Dua Lipa fitoi çmimin e madh të “Artistes më të mirë të re”, ndërsa Ermal Meta mori çmimin e “Veprës më të mirë italiane”.

Shqiptarët nuk kishin parë një “MTV EMA” më të mirë sesa kaq. Rita Ora tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e veçantë në skenën e madhe të “Wembley”-t, ku u shfaq vetëm me peshqir, e më vonë ndërroi disa veshje. Në këtë mënyrë e mbajti të gjithë kohën gjallë kureshtjen e publikut.

Shqiptarja nga Kosova praktikisht e elektrizoi shfaqjen dhe u lavdërua lart, si për mënyrën sesi drejtoi mbrëmjen, ashtu edhe për performancën e saj. “Rita, e thënë me pak fjalë, – shkruan shtypi britanik, – ishte njeriu i duhur për këtë ceremoni”.

26-vjeçarja nuk arriti sidoqoftë të merrte vet një çmim, edhe pse ishte nominuar në kategorinë e “Imazhit më të mirë”. Dua Lipa, nga ana tjetër mori një vlerësim që vjen pas suksesit të hitit të saj “New Rules”, i cili ka arritur më shumë se gjysmëmiliardi klikime vetëm në “YouTube”.

Këngëtarja kosovare nuk ishte e pranishme në shfaqje për shkak të koncerteve që po zhvillon në Amerikë, por falenderimet e saj për nderimin e bërë i përcolli në Twitter.

Fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin këngëtari kanadez Shawn Mendes, që mori trofetë e “këngës më të mirë”, “artistit më të mirë” dhe “çmimin e adhuruesve”, ndërsa të kënaqur dolën prej saj edhe Eminem e U2, por Taylor Swift, ndonëse ishte ylli më i nominuar, nuk siguroi dot asnjë çmim.

Top Channel