Parà për Gulenin? Turqia e mohon: Do ta ekstradojmë ligjërisht

12/11/2017 17:21

Raportet se ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Micheal Flynn ishte pjesë e një komploti për të dërguar me forcë një klerik mysliman në Turqi, në këmbim të miliona dollarëve, janë plotësisht të rreme.

Ambasada turke në Uashington tha se akuzat janë plotësisht të pabaza dhe keqdashëse. Debati nisi kur ish-drejtori i CIA-s, James Woolsey foli për një plan prej 15 milionë dollarësh për të kthyer në Turqi klerikun Fetullah Gulen.

Turqia akuzon Gulenin se është “truri” pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik të vitit 2016 dhe përmes një komunikate për shtyp, Ambasada turke në Uashington tha se populli turk pret ekstradimin e tij nga SHBA, që të gjykohet.

Por sipas Ambasadës, akuzat se Turqia do të përdorë mjete jashtë atyre ligjore për ekstradimin e tij janë të rreme, qesharake dhe plotësisht të pabaza. Pretendimet u hodhën poshtë edhe nga Michael Flynn, i cili përmes avokatit të tij tha se këto janë shpifje.

Por sipas “Wall Street Journal”, Flynn, i cili la postin e tij pasi gënjeu për takimet me një zyrtar rus, kishte diskutuar për transportimin e Gulen me një avion privat në Imrali, një ishull burg i Turqisë. Ish-shefi i CIA-s, Woolsey foli gjithashtu edhe për një takim të Flynn në shtator të 2016-s me zyrarë turq, gjatë të cilit sugjerohet se u përmend mundësia e dërgimit të Gulen në Truqi.

Top Channel