Një “Rrugë të vogël të Arbrit” e ka cilësuar kryeministri Rama unazën e qytetit të Peshkopisë, e cila përfundon pranverën e ardhshme. Kreu i qeverisë ka inspektuar nga afër punimet që kanë nisur në qytet, që i japin përfundimisht zgjidhje kaosit që shkaktonte lëvizja e mjeteve.
“Tani po bëhet realitet kjo unazë, me një financim të qeverisë shqiptare, rreth 2 milionë euro, me gjatësi 3.5 kilometra dhe një urë 20 metra, me sistemimin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, me trotuare, me ndriçim”, tha Muharrem Rama, kryetar i Bashkisë së Dibrës.
“Edhe kjo është rruga e vogël e Arbrit. Premto, premto dhe edhe kjo tani po bëhet. Natyrisht është një gjë shumë e rëndësishme për qytetin dhe do ta lehtësojnë shumë pjesën tjetër që nuk do ketë më gjithë kamionët deri te shtëpia”, tha kryeministri Edi Rama.
Aksi Arras-Kastriot, rruga që lidh banorët e 20 fshatrave është një tjetër kantier pune.
“Ky është dhe viti i Skënderbeut që fillon më 28 Nëntor deri në 28 Nëntorin e ardhshëm, dhe në këtë mënyrë i japim edhe një destinacion turistik dhe paralelisht krijojmë kushte për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë rurale”, deklaroi më tej Rama.
Punimet kanë nisur edhe për unazën e re të Klosit, e përveç saj, projekti i radhës do të jetë ai për hyrjen e qytetit.
“Do të bëjmë edhe urën, do të bëjmë edhe rrugën në hyrje. Kryetari e ka projektin për t’u lidhur me unazën. Kur bashkëpunojnë socialistët me demokratët për punët reale bëhen gjëra të mëdha”, tha Rama.
Më pas Rama pa nga afër edhe urën e re në Njësinë Administrative Komsi, e cila sapo është vënë në përdorim.
“Mua më vjen shumë mirë që i kemi çliruar nga i gjithë ky ankth i madh të gjitha ato familje e prindër që kanë sjellë familjet për në shkollë, duke bërë cirk këtu”, u shpreh Rama.
Top Channel