Skandali seksual, aktorët shmangin tapetin e kuq

11/11/2017 16:32

Emrat e mëdhenj të Hollivudit shmangën parakalimin në tapetin e kuq, në një ceremoni të zhvilluar të premten, mes skandalit të abuzimeve seksuale në industrinë kinematografike.

Në galanë vjetorë American Cinematheque, zakonisht marrin pjesë dhjetëra personalitete e aktorë, që bashkë me gazetarët e panumërt, nderojnë një artist të caktuar.

Por kjo nuk ka ndodhur këtë herë dhe aktorja e nderuar këtë vit, Amy Adams, 5 herë kandidate për çmim Oskar, ishte mes të paktave që foli për mediat.

“Nuk është një skandal që po trazon vetëm Hollivudin. Është e rëndësishme të kuptohet se bëhet për një problem shoqëror, për një uragan që bëhet gjithnjë e më i fuqishëm”, tha Amuy Adams.

Aktori Michael Shannon, i cili i dorëzoi çmimin Adams, guxoi gjithashtu të parakalonte në tapetin e kuq.

“Ndihem keq për këto gra që janë përballur me situtata të tilla. Përfshirja në këtë biznes nuk të jep liçensën për të trajtuar njerëzit në mënyrë jo të denjë”, tha aktori Shannon.

Harvey Weinstein dhe Kevin Spacey janë në qendër të skandalit që tronditi Hollivudin, me persona të shumtë që i kanë akuzur ata për ngacmime e përdhunime. Mes të ftuarve në gala ishin Jake Gyllenhall, Toms Hanks, Kristen Stewart, Natalie Portman dhe Justin Timberlake.

Top Channel