Protesta në Barcelonë, kërkohet lirimi i të arrestuarve

11/11/2017 23:02

Më pak se një milionë njerëz janë mbledhur në Barcelonë për të protestuar kundër arrestimit të liderëve katalanë nga ana e Spanjës.

Me drita ndër duar, ata thërrisnin njëzëri duke kërkuar lirimin e tetë ministrave rajonalë dhe dy liderëve të fushatës për pavarësinë, që mbahen të arrestuar.

Disa prej të ndaluarve do të përfshihen në listën e partisë separatiste katalane për zgjedhjet e parakohshme të muajit të ardhshëm.

Në një ekran gjigant, gjatë protestës, u shfaq edhe një mesazh i liderit të shkarkuar katalan, Carles Puigdemont, i cili ndodhet aktualisht në Bruksel.

Protesta konsiderohet si një test për mbështetjen e lëvizjes për pavarësi që kur qeveria katalane shpalli Pavarësinë, duke bërë që më pas kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy të shkarkonte atë, të shkrinte parlamentin rajonal dhe të shpallte zgjedhje të reja në dhjetor.

Gjykata e Lartë spanjolle ka urdhëruar arrestimin e tetë ish pjesëtarëve të qeverisë, bashkë me dy liderë separatistë. Gjykata lëshoi javën e shkuar edhe fletë arreste për ish presidentin rajonal Carles Puigdemont dhe katër pjesëtarë të tjerë të qeverisë të tij, që ndodhen në Belgjikë.

Top Channel