Shpresat ishin që në fjalimin e tij përpara krerëve të biznesit në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit të përdorte tone më pajtuese, por Donald Trump u shfaq sfidues si zakonisht.
“Shtetet e Bashkuara, – tha ai, – nuk do t’i tolerojnë më abuzimet kronike të tregtisë. Unë gjithmonë do të vë të parat interesat e Amerikës”, shtoi shefi i Shtepisë së Bardhë dhe vendet e “APEC”-ut sipas tij duhet t’i binden rregullave të tregtisë së ndershme.
“Për shumë vite me radhë, Shtetet e Bashkuara e kanë hapur sistematikisht ekonominë e tyre me disa kushte. Ulëm tarifat mbi mallrat që hyjnë në vendin tonë, tkurrëm barrierat tregtare dhe lejuam vërshimin e lirë të produkteve të huaja. Por, ndërkohë që ne i reduktuam pengesat e tregut të brendshëm, vendet e tjera nuk i hapën tregjet e tyre për ne. Që ta përmbledh shkurtimisht, OBT-ja nuk na ka trajtuar ashtu siç duhet. Organizata të tilla funksionojnë siç duhet, vetëm kur respektohen rregullat dhe të drejtat e secilit prej anëtarëve”, tha Trump.
Për gati 30 vite, “APEC”-u ka qenë vendi ku Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet e tregtisë së lirë dhe lidhjet më të forta të biznesit mes ekonomive më dinamike të globit. Por tentativat e Trump për të arritur një ujdi sa më të mirë për Amerikën e kanë ndryshuar panoramën.
Argumenti i tij është se dekadat e rritjes së tregtisë në rajonin e Azi-Paqësorit kanë dëmtuar kompanitë amerikane. Shtetet anëtare të “APEC”-ut janë duke eksploruar mënyra të tjera për të përmirësuar rrjetet e tyre tregtare pa Amerikën, dhe Kina, tashmë një rival serioz për dominimin ushtarak dhe diplomatik në Azi, po e bën të qartë se është e përgatitur t’iu heqë nga duart SHBA-ve edhe lidershipin ekonomik.
“APEC”-u bën bashkë 21 ekonomi të rajonit të Paqësorit, e barazvlefshme kjo me 60% të GDP-së së botës.
Top Channel