Rusia kërkon nga SHBA ekstradimin e “spiunit” të dopingut

09/11/2017 15:11

Rusia kërkon nga Shtetet e Bashkuara ekstradimin e Grigory Rodchenkov, ish-drejtuesi i laboratorit të Antidopingut në vend, që zbuloi skemën e dopingut të Lojërave Olimpike Dimërore në Sochi gjatë vitit 2014, një skemë që sipas tij u mbulua nga vet shteti rus.

Rodchenkov e zbuloi skandalin gjatë një udhëtimi të tij vitin e kaluar në SHBA. Ai theksoi se, në Rusi u orkestrua një sistem i sofistikuar i mashtrimit nga ana e sportistëve të këtij vendi, duke zëvendësuar kampionët e tyre pozitivë në testet antidoping me kampionë të pastër në prag të Lojërave të Sochit, akuza të cilat janë mohuar vazhdimisht nga autoritetet.

Ajo që mbetet të kuptohet në të gjithë këtë histori është sesi do të bëhet ekstradimi, duke qenë se nuk ekziston asnjë marrëveshje në këtë aspekt mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, duke marrë shkas nga pohimet e Rodchenkov, ka nisur ritestimin e të gjithë kampionëve të sportistëve rusë, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të 3 viteve më parë.

Javën e kaluar, skiatorët e “Cross County”, Alexandër Legkov dhe Evgeniy Belov u bënë të parët sportistë rusë që u ndëshkuan për thyerje të rregullave antidoping, pas hetimeve të IOC-së, e cila theksoi se në mbledhjen e radhës së saj do të vendosë nëse do të lejojë pjesëmarrjen e sportistëve rusë në Lojërat Olimpike të Pyeongchangut, që do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm.

Top Channel