Një makineri e madhe muzikore në formën e një instilacioni hapësinor, e përbërë nga një sërë makinerish industriale, të shkëputura nga konteksti dhe funksioni i tyre fillestar.
Skulptori Sadik Spahija nëse do t’i kishte shitur makineritë e përdorura dikur gjatë regjimit komunist, por që sot ai i ka dhuratë prej miqve të tij, sigurisht që do të ishte pasuruar. Po ai nuk e ka bërë këtë, pasi pasioni për të realizuar këtë ‘makinë që këndon’ apo “Vox Machina”, siç e quan ai, është më i madh.
“Veprat përveçse kanë një frymë unike, i kaluam në objekte të cilat ngjajnë me objekte muzikore që lëshojnë një tingull të kujdesur nga ne, shto këtu edhe kolonën zanore të nëndheshme që ato lëshojnë kur ne i afrohemi, të cilën ne mundemi ta dëgjojmë”, tha Sadik Spahija, skulptor.
Kthyer në qenie me gjymtyrë të kalcifikuara, “Vox Machina” na zhvendos në kohë përmes ideologjive të vjetra e të reja nga e shkuara komuniste në të ardhmen globale.
“Shumë nga këto produkte kanë një djersë të pafundme të investuar brenda tyre. Kur punoja shpeshherë shihja që janë bërë në një mënyrë krejtësisht të kujdesshme, krejtësisht të veçantë dhe ato për një moment zhduken dhe humbasin pa rikthyer tek ne atë djersë që ne kemi investuar. Këto kanë një jetë të ndërprerë, të këputur në mes, por ndofta ato kanë diçka për të thënë më pas. Mënyra se si unë i jam qasur kësaj “më pas” është fakti që unë këto objekte i kam kthyer në objekte që lëshojnë një zë”, thotë ai.
Këto objekte Spahija synon t’i kthejë në vepra publike, për historinë që ato mbartin, histori e cila në teatrin ‘Turbina’, tregohet deri më 10 nëntor.
Top Channel