Shtëpia dhe shkolla shqiptare e humorit, “Portokalli” me rekord audience

04/11/2017 20:00

Prej 14 vitesh, spektakli “Portokalli” është shtëpia e madhe e humorit shqiptar, e cila përveç rekordit absolut të audiencës, mbrëmjen e çdo të diele është kthyer në qendrën e rëndesës të të gjithë humorit shqiptar.

Talentet e humorit zbulohen dhe rriten në këtë spektakël, i cili ka hyrë në dekadën e tij të dytë të suksesit.

“Jemi këtu në studiot e Portokallisë, spektaklit më të dashur për spektatorët dhe telespektatorët shqiptarë dhe momentalisht ndodhemi në dhomën e grimit, ku mjeshtri Mond Lako po përgatit Rezart Veleshnjën, i cili është një nga aktorët tanë të preferuar, por i gjithë trupës ama”, tha Marin Orhanasi, aktor i “Portokallisë”.

Po hyn në një dekadë e gjysmë dhe spektakli i humorit më i dashur për shqiptarët, “Portokalli” është në majë e përmirësohet dita-ditës.

“Për mua është aq e rëndësishme sa jam ende këtu. Po të mos ishte s’do të isha këtu, do kisha ikur. Është abolutisht spektakli numër një i humorit në Shqipëri, jo se e them unë, por e thonë statistikat”, thotë Rezart Veleshnja.

“Kudo ku ka shqiptarë, në Shqipëri dhe nëpër botë, nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar ose nuk e ka parë njëherë Portokallinë”, shprehet Vangjel Kozma, skenarist i “Portokallisë”.

“Portokalli” ishte dhe mbetet programi televiziv me audiencën rekord në çdo transmetim të tij.

“Çfarë do të thotë Portokalli për tregun shqiptar apo edhe mua personalisht? Ta mendojmë tani, mos themi fjalë kot”, thotë Salsano Rrapi, aktor e moderator i programit. “Gjysma e jetës sime është Portokalli tashmë, për të mos thënë që çdo gjë tjetër përveç familjes”, shtoi më tej Salsano.

Pas kaq kohe është shndërruar në shtëpinë e humorit në mbarë shqiptarinë. Me personazhe që e kanë nisur këtu personalitetin e tyre artistik dhe janë rritur bashkë me spektaklin.

“Portokalli, si shtëpia e humorit shqiptar është i vetmi tempull që krijon vërtet humor”, thotë Florian Binaj, aktori i njohur ndryshe si “polici”.

Figurat më me eksperiencë, që janë kaq familjare për publikun, alternohen kaq mirë me aktorët e rinj.

“Jam Selim Shkëlqimi, por e kam flokun në duar”, shprehet Gazmend Paja, aktor i trupës, si njëri prej protagonistëve të rinj të luajtur prej tij.

“Sot jam një kamerier, i cili i prish punën shokut tim që do të fejohet”, thotë njëri prej aktorëve të rinj të bashkuar nga ish-programi “Pa limit”.

“Jam në rolin e Mulit, një personazh tregtar që Rezin e do shumë”, thotë Ledio Lako, aktor.

“Ndërsa unë jam flokshi”…

Teatri i humorit i Top Channel dhe i të gjithë shqiptarëve është argëtimi në ekran çdo të dielë, por edhe një sezon fantastik mbushur plot me personazhe të dashura.

“Këtu nuk bëhet humor thjesht për t’i bërë njerëzit për të qeshur, por këtu flitet për tema shumë të rëndësishme. Tematikat janë vërtet të nxehta dhe kjo bën që publiku ta dojë”, mbylli deklaratën Marin Orhanasi.

Top Channel