“Më përdhunoi në gjumë”. Nuk reshtin akuzat ndaj Spacey

03/11/2017 21:01

Gjërat për Kevin Spacey po bëhen çdo ditë e më të vështira. Aktori i njohur nga “Hollywood”-i do të hetohet nga policia britanike për sulm të dyshuar seksual.

Tabloidi “The Sun” raportoi se një burrë kishte ngritur padi të martën lidhur me incidentin e pretenduar në një lagje të Londrës në vitin 2008.

Më pas, policia konfirmoi se po shqyrtonte një rast të tillë, por pa e përmendur emrin e protagonstit të “House of Cards”.

Sipas tabloidit “The Sun”, britaniku pretendon se Spacey e kishte ftuar për një pije në apartamentin e tij në Londër. Kur ishte zgjuar e kishte gjetur aktorin teksa kryente marrëdhënie seksuale me të.

Burri i paidentifikuar, në atë kohë 23 vjeç, pohon se Spacey i kishte thënë të mos i tregonte askujt për ngjarjen.

Lajmi vjen pasi 9 pjesëtarë e ish-pjesëtarë të stafit të “House of Cards” akuzuan Kevin Spacey për krijimin e një ambienti toksik, për shkak të ngacmimeve seksuale të përsëritura.

CNN thotë se të 8 punonjësit, që kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të frikës për pasoja profesionale, e kanë cilësuar Spaceyn si “gjahtar”.

Pretendimet janë më të fundit që bëhen publike, pasi Spacey u akuzua se në vitin 1986 ishte përpjekur të joshte aktorin e “Star Trek”, Anthony Trapp, asokohe vetëm 14 vjeç. Akuza për ngacmim i janë bërë atij edhe nga aktori meksikan, Roberto Cavazos, që ka punuar në Teatrin “The Old Vic” të Londrës, ku Spacey ishte drejtor artistik për më shumë se një dekadë, deri në vitin 2015.

Fituesi i dy çmimeve “Oscar”, tani thuhet se i është nënshtruar një trajtimi të paspecifikuar.

Top Channel