Çeçeni, i akuzuar se kishte komplotuar për vrasjen e presidentit Vladimir Putin, mbeti i plagosur gjatë një prite pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, ndërsa e shoqja humbi jetën.
Adam Osmayev, i plagosur në njërën këmbë, tha më vonë se bashkëshortja e tij Amina Okuyeva u qëllua në kokë.
Një breshëri plumbash kishte goditur makinën e tyre në fshatin Hlevaha. Zyrtarët ukrainas dyshojnë se në incident është përfshirë shteti rus. Okuyeva ka statusin e heroinës në Ukrainë, për faktin se pati luftuar kundër rebelëve prorusë në lindje të vendit.
“Unë i dhashë gaz aq sa munda, derisa makina u ndal. Nuk e di, ndoshta motori u godit. Unë u përpoqa t’i jap ndihmën parë, por ajo ishte qëlluar në kokë”, tha Osmayev.
Kjo është hera e dytë këtë vit, që çifti ka qenë objekt i një atentati. Në qershor, një person i armatosur që u hoq si gazetar francez hapi zjarr ndaj Osmayev në Kiev, por Okuyeva u kundërpërgjigj duke e plagosur agresorin, që më pas rezultoi të ishte një kriminel çeçen.
Në vitin 2012, zyrtarët rusë deklaruan se Osmayev dyshohej se ishte pjesë e një komploti islamik për vrasjen e Putinit. Moska i kërkoi më vonë Ukrainës dorëzimin e tij, por autoritetet e Kievit refuzuan të bindeshin, duke thënë se donin të prisnin më parë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut të konsideronte ankesën e tij kundër ekstradimit. Ai u lirua pas dy vitesh e gjysmë të kaluara në një burg ukrainas.
Top Channel