Spacey, një tjetër Weinstein?! “House of Cards” merr fund pas sezonit të 6

30/10/2017 21:39

Më 30 maj, “Netflix” do të njoftonte transmetimin e sezonit të pestë të serialit “House of Cards”, por vetëm pak muaj më pas, ekzaktësisht 5 muaj më vonë, krijuesit e këtij seriali kanë njoftuar fundin e papritur të këtij seriali, sigurisht pasi të shfaqet edhe sezoni i gjashtë dhe i fundit. Ky vendim drastik vjen pas akuzave ndaj Kevin Spacey për abuzime seksuale.

Seriali i jashtëzakonshëm dramatik e politik njëkohësisht, e mbylli sezonin e tij të pestë në një situatë të pazgjidhur, duke i lënë fansat e tij në ankth se çfarë do të shohin në sezonin pasardhës.

Por “Netflix” vet pretendon se vendimi ishte në “sirtar” prej njëfarë kohe, e ai nuk është marrë pikërisht sot. Gjithsesi, njoftimi për mbylljen e këtij seriali vjen më pak se 24 orë pasi aktori Anthony Rapp akuzoi Spaceyn, protagonistin kryesor të “House of Cards”, se e kishte ngacmuar seksualisht kur ai ishte vetëm 14 vjeç.

Spacey dha menjëherë një deklaratë pas akuzave, duke thënë se ndihej “tejet i tmerruar” pas kësaj ngjarjeje.

“Sinqerisht nuk e mbaj mend këtë përballje, ndoshta mund të ketë ndodhur rreth 30 vite më parë. Por, nëse unë jam sjellë siç e përshkruan ai, i detyrohem një apologji të thellë për atë që mund të ketë qenë një sjellje tejet e pahijshme e një personi të dehur. Ndaj më vjen keq që ai e ka bartur këtë barrë për kaq shumë vite”, thotë Spacey.

Frank Underwood, siç Spacey njihet me emrin e protagonistit në film, konfirmoi më tej edhe një nga sekretet më të këqija që “Hollywood” është dashur ta mbajë të fshehtë për kaq shumë vite, faktin që ai është homoseksual.

“Kjo ngjarje më ka inkurajuar të adresoj edhe disa gjëra të tjera mbi jetën time, – vazhdon Spacey. – Kam dashuruar dhe kam pasur qasje romantike me disa meshkuj përgjatë jetës sime, ndaj sot zgjedh të jetoj si një gay”.

Kaq mjaftoi për aktorë, regjisorë dhe producentë të tjerë nga “Hollywood”, që të kritikonin deklaratën e tij përmes rrjeteve sociale. Një ndër to ishte edhe aktorja Rose McGowan, e cila pretendon në fakt të jetë përdhunuar nga Harvey Weinstein, e cila shkruan:

“Mirupafshim Spacey, mirupafshim! Është radha jote për të qarë, kjo është arsyeja përse ne duhet të të themi mirupafshim”.

Top Channel