“Drakula”, për herë të parë një realizim operistik

27/10/2017 16:47

Mijëra vampirë nga e gjithë bota zbritën në Shtëpinë mbretërore të Operas në Suedi, ku u zhvilluan provat përfundimtare të të parit prodhim operistik të “Drakulës”, që do të ketë premierën botërore të shtunën.

E shkruar nga Bram Stoker në vitin 1897, historia gotike horror ka frymëzuar dhjetëra përshtatje kinematografike, por kjo është hera e parë që do të vihet në skenë si një opera.

Kur errësira mbuloi kryeqytetin suedez, Stockholm, projeksionet në fasadën e godinës morën formën e kështjelles së kontit Drakula, ndërsa zona u mbush me vampirë të ftuar përmes rrjeteve sociale, për të ndjekur provën gjenerale të shfaqjes.

Kërkesat për të i kaluan pritshmëritë. Organizatorët thonë se vënia në skenë e historisë së njohur është një përpjekje për të joshur një audiencë më të gjerë e të re në opera.

“Vampirët janë të rrezikshëm e të përjetshëm, por këta të kohëve moderne janë gjithashtu edhe seksi. Mund të bësh shumë gjëra kur je i tillë. Kjo natyrisht josh shumë njerëz”, tha Anna Westling, producente.

“Ne jemi të parët në botë, që prodhojmë një opera për këtë përrallë të mrekullueshme. Mendoj se kishte ardhur koha”, tha Catarina Falkenhag, drejtoreshë komunikimi.

Organizatorët thonë se në rrjetet sociale kishin gjetur një sërë grupesh, që maskohen si vampirë në Stockholm dhe nëpër botë, e u kishin dërguar ftesat për pjesëmarrje. Atyre iu bashkuan edhe të tjerë, që parapëlqejnë të vishen si qeniet e pavdekshme. “Drakula” do të shfaqet në Operan e Stockholmit deri më 7 dhjetor.

Top Channel