“Aktoret flirtonin për një rol”

27/10/2017 10:41

Skandali i Harvey Weinstein ka, sipas aktorit britanik Martin Clunes, edhe një anë tjeter.

55-vjeçari i njohur më së shumti për rolin e protagonistit në serialin televiziv “Doc Martin”, ka punuar me producentin e turpëruar amerikan për filmin “Shakespeare In Love”. Clunes thotë se nuk janë të pafajshme të gjitha ato që shkelin në studiot e Hollivudit dhe, pa bërë emra, u shpreh se disa aktore flirtojnë hapur me producentët, duke shpresuar se kjo do t’i ndihmojë në karrierë.

“Një pjesë e tyre praktikisht i kam parë të shtrihen mbi të në një klub. Nëse do t’ua kisha bërë unë atyre një gjë të tillë, nuk e di si do shkonte kjo punë. Nuk është risi për asnjeri që këto grabitqarë lejojnë ca gjëra të ndodhin. Sigurisht, e gjitha është padyshim e kobshme; është një formë prostitucioni, hilja më e vjetër që ekziston”, tha Clunes gjatë një eventi bamirësie në Londër.

Akuzat ndaj Weinstein, të ngritura nga dhjetëra gra mes të cilave edhe aktore të famshme, nisin që nga masazhet intime e deri tek përdhunimi. Policia e Los Angeles ka nisur një hetim ndaj manjatit të filmit pas akuzave të një aktoreje të paidentifikuar italiane për agresion seksual. Producenti i shkarkuar së fundi nga kompania e filmave ku ishte bashkëthemelues, përballet po kështu me akuza për krime me lidhje seksuale në Nju Jork dhe Londër.

Ai pretendon se nuk ka bërë veprime ku nuk ka pasur mirëkuptim dypalësh. Një figurë tjetër e njohur e kinematografisë amerikane dhe botërore, Quentin Tarantino, kërkoi falje së fundi për faktin që ka heshtur mbi vesin e kolegut të tij, për të cilin rrëfeu se kishte qenë në dijeni.

Top Channel