“Paisley Park” i Princit hap dyert në “O2 Arena” të Londrës

26/10/2017 22:05

Kashmir, hip hop e sigurisht ngjyra vjollcë ka zbrityr në “Arenën O2” të Londrës, në një ekspozitë të re të sendeve personale të këngëtarit të ndjerë Prince.

“My name is Prince” shfaq mbi 200 sende, përfshirë kitarat e modifikuara, statujat e çmimeve, lirika të shkruara me dorë dhe kostume, me të cilat Prince është shfaqur në videot e tij të muzikore.

Këngëtari u nda nga jeta si pasojë e një mbidoze në vitin 2016. Por, organizatorët e ekspozitës thonë se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtrimin e themeleve për ekspozitën.

“Prince filloi të planifikonte hapjen e ‘Paisley Park’ për ture që në vitet 2000, duke e hedhur vet hapin e parë. Ndaj, ne thjesht kemi ndjekur hapat e tij, mblodhëm ‘Paisley Park’ dhe prej tij krijuam këtë ekspozitë”, tha Angie Markeze, drejtore e arkivave në “Paisley Park”.

Organizatorët shpresojnë se do t’u japin vizitorëve copëza nga jeta private e këngëtarit të famshëm. Mes sendeve me më shumë interes është kostumi ngjyrë vjollcë, që këngëtari kishte veshur në “cover”-in e albumit “Purple Rain”; kitara e tij e famshme dhe një koleksion i madh këpucësh me taka.

Ekspozita ka edhe bekimin e të afërmve të Prince, edhe pse për motrën e tij, Tyka Nelson, vizita atje ishte një eksperiencë emocionale.

“Bëra vetëm pak hapa dhe nuk munda t’i mbaja lotët, ndaj u detyrova të dal. Ishte e vështirë”, tha Tyka Nelson, motra e Prince.

Prince shiti mbi 100 milionë disqe në karrierën e tij 40-vjeçare. Ai fitoi 7 çmime “Grammy” dhe një “Oscar” për kolonën zanore të filmit të tij të vitin 1984, “Purple Rain”.

Top Channel