Aktorja norvegjeze: Weinstein më përdhunoi pas çmimeve “Bafta”

26/10/2017 18:06

Akuzat kundër Harvey Weinstein duket nuk do të rreshtin edhe për shumë kohë. Një tjetër aktore, norvegjezja Natassia Malthe tha se manjati i filmave e ka përdhunuar atë në një hotel të Londrës, pas ceremonisë së çmimeve “Bafta” në vitin 2008.

Në një konferencë për shtyp në Nju Jork, gruaja rrëfeu se e kishte takuar Weinstein në një festë pas ceremonisë dhe ishte detyruar t’i thoshte emrin e hotelit ku po qëndronte. Malthe pretendon se producenti kishte trokitur në derën e saj dhe, pasi ishte lejuar të hynte brenda, e kishte përdhunuar.

Sipas aktores, Weinstein kishte nënkutpuar se marrëdhënia seksuale me të do t’i mundësonte një rol në filmin e ardhshëm dhe më pas kishte filluar të masturbohej përpara saj.

“Pastaj ai më tërhoqi dhe kreu marrëdhënie seksuale me mua, në mënyrë jokonsensuale. Ai nuk përdori as prezervativ. Ndieva neveri, qëndroja e palëvizur me sytë mbyllur, si një person i vdekur, dhe doja vetëm që të mbaronte”, tha Natassia Malthe, aktore.

Ditën tjetër, ajo kishte marrë skenarin e një filmi në duar. Aktorja thotë më tej se, Weinstein i kishte kërkuar të takoheshin në një hotel në “Beverly Hills”, me pretendimin se do të ishte e pranishme edhe një asistente. Por, pas mbërritjes ishte përballur me kërkesen për marrëdhënie treshe, me një grua tjetër.

“Jam përballur me shumë shantazhe seksuale nga burra të fuqishem të ‘Hollywood’-it, por eksperienca me Harveyn ishte më e keqja”, shprehet më tej ajo.

Avokatja e aktores, Gloria Allred tha se ajo po konsideron nëse do t’i paraqesë akuzat në polici.

Top Channel