Termoizolimi i pallateve, bashkia financon 50%

25/10/2017 10:19

Nëse banorët e pallateve në Tiranë organizohen së bashku, nën udhëheqjen e administratorit, për të përfituar financim për projekte infrastrukturore, bashkia u vjen në ndihmë me një skemë fondesh të vëna në dispozicion për këtë qëllim.

Rasti i fundit është ai i një administratori të tre pallateve tek Komuna e Parisit, që ka nisur punën për termoizolimin e godinave, të rrënuar ndër vite. Adem Cenmurati thotë se pas kërkesës së pjesës më të madhe të banorëve ka aplikuar në bashki për termoizolimin e ndërtesave dhe komisioni i ngritur nga bashkia ka shpallur fitues tre projektet e para.

Banorët kanë paguar vetëm 50% të vlerës reale të investimit që po bëhet në banesat e tyre. Pjesa tjetër financohet nga bashkia. Mjafton një administrator i licencuar dhe aplikimi për fondet e komunitetit.

Që prej çeljes së këtij fondi në Bashkinë e Tiranës, janë paraqitur disa projekte, 6 prej të cilave kanë marrë dakordësinë dhe po zbatohen.

Erind Bejko, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi theksoi se: “Një administrator i sapozgjedhur me ligjin për bashkëpronësinë bën kërkesën pranë nesh së bashku me nevojat e pallatit. Ajo çka ne investojmë është 50 me 50. Nëse banorët fusin 10 milionë lekë të vjetra, bashkia fut 10 të tjera. Nëse banorët fusin 2 milionë lekë të rinj, bashkia bën të njëjtën gjë dhe fondi maksimal është 4 milionë lekë të rinj.”

Rikonstruksioni i tarracave, krijimi i vend parkimeve, lulishteve, këndeve të lodrave janë gjithashtu projekte që mund të financohen. Aplikimet janë të hapura në çdo kohe, ndërsa përgjigja për projektet jepet brenda 30 ditëve.

Top Channel