Kinë, Xi Jinping nuk zgjedh pasardhës në Byronë Politike

25/10/2017 08:38

Për Xi Jinping nuk ka asnjë trashëgimtar të dukshëm, që do të thotë se presidenti aktual do të vazhdojë ta qeverisë Kinën për një kohë të gjatë.

Vendi komunist prezantoi Komitetin e tij të ri Drejtues, por theu traditën me mospërfshirjen e një pasardhësi të qartë të Jinping, që çimenton kështu kryesimin e tij për 5 vite të tjera, e mbase edhe më shumë sesa kaq.

Një ditë më parë, emri i Xi u shkrua në Kushtetutë, duke e ngritur në një nivel me themeluesin e Partisë Komuniste kineze, Mao Zedong. 5 emra të rinj ripërtërijnë Byronë Politike 7-anëtarëshe, organizmi më i fuqishëm drejtues i vendit.

Mungesa e një “trashëgimtari politik” ngre tani pyetjen sesa ka ndërmend ta shtrijë Xi Jinping sundimin e tij. Përveç 64-vjeçarit Xi, kryeministri Li Keqiang ishte i vetmi pjesëtar i Komitetit që arriti ta ruante pozicionin e vet.

Gjatë këtyre dekadave të fundit, udhëheqësit kinezë kanë caktuar një apo më shumë trashëgimtarë të mundshëm në fillimin e mandatit të tyre të fundit, duke dëshmuar kështu një linjë të qartë kalimi të pushtetit.

Kishte shumë spekulime se Xi do të promovonte të mbrojturin e tij, Chen Miner, dhe sekretarin e partisë në Guangdong, Hu Chunhua, që të dy rreth të 50-ave dhe të rinj sa duhet për të qenë pasardhës të besueshëm. Por burrat me kostume të zeza, që pushtuan skenën të mërkurën, ishin të gjithë mbi 60 vjeç, që do të thotë se nga fundi i mandatit të Jinping ata do të jenë duke dalë në pension.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA