Weinstein, mijëra dollarë viktimave në këmbim të heshtjes

24/10/2017 11:01

Ish asistentja britanike e Harvey Weinstein, Zelda Perkins tha për Financial Times se i kishin ofruar 165,000 dollarë që të mos bënte më zhurmë pasi e akuzoi producentin e famshëm të Hollywood për ngacmim seksual.

Perkins rrëfehet se kishte firmosur një marrëveshje në 1998-tën, koha kur sapo kishte lëshuar akuzat në fjalë. Weinstein, siç shpjegon ajo, i pati kërkuar një masazh ndërsa qëndronte në dhomë me të mbathura, e ishte përpjekur ta tërhiqte në shtrat.

Ish-asistentja vendosi asokohe të ngrinte zërin pasi një kolege i tregoi se ishte ngacmuar edhe ajo seksualisht nga manjati i filmit. Që të dyja kërkuan të dëmshpërblehen dhe iu ofrua një shumë prej 330,000 dollarë për ta ndarë në mënyrë të barabartë, por në këmbim duhet të firmosnin një marrëveshjeje heshtjeje, e cila nuk i lejonte t’i diskutonin akuzat publikisht.

Nëse do të shkelte ujdinë, Perkinsit mund t’i duhej të kthente paratë mbrapsht e të paguante ndoshta dëme dhe tarifa të tjera ligjore të përfshira në kontratë.

Pavarësisht kësaj, në dritën e zhvillimeve të fundit, gruaja vendosi të thyente heshtjen e të tregonte sesi mbuloheshin veprimet e pista të Weinstein. Dëshmi të ngjashme kanë ardhur nga një sërë aktoresh, përfshirë Lupita Nyong’o dhe Gwyneth Paltrow, te cilat pretendojnë që të dyja se producenti u kishte kërkuar masazhe në dhomën e tij të gjumit

Top Channel