Shtatë stiliste kanë prezantuar koleksionet e tyre në Londër, në një spektakël të modës modeste, që organizatorët thanë se kishte si qëllim të drejtonte reflektorët nga hixhabi, shamia myslimane.
Shtatë pjesëmarrësit vinin nga Omani, Maroku, Britania dhe Indonezia. Koleksionet e tyre iu dedikoheshin grave që duan të vishen me modë, por pa treguar shumë lëkurë.
E ftuar nderi në spektakël ishte amerikania Halima Aden, e para supermodele me hixhab që ka sfiluar në pasarelat e Nju Jorkut dhe Milanos me kokën e mbuluar. Ajo tha se feja e saj islamike dhe të qenit një modele ishin në sintoni të plotë.
“Unë e di se gratë myslimane e duan modën. Nëse shkoni në Dubai nuk është aspak e pazakontë të shohësh një çantë ‘Chanel’ përkrah një shamie. Tani është thjesht çështja e përfshirjes së grave myslimane në pasarela”, tha Halima Aden, modele.
Ndërsa stilistja britanike, Raishma ia atribuoi rritjen e modës modeste, pjesërisht faktit se gjithnjë e më shumë gra kanë filluar të mbajnë shami.
“Në 10 vitet e fundit mendoj se hixhabi është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm. Gjithnjë e më shumë gra myslimane e mbajnë atë. E mendoj se ka ndryshuar edhe mënyra sesi shihet ai”, tha Raishma, stiliste.
Dy vitet e shkuara, hixhabi është bërë tendencë, me publicitete, gjigantë mediesh dhe firma mode, që promovojnë imazhin e shamitë tradicionale të kokës në mënyra të shumta.
Top Channel