Një muzikal për Tina Turner

18/10/2017 00:18

Legjendja e muzikës Tina Turner është rishfaqur në publik, këtë herë jo më për të kënduar, por për të prezantuar një muzikal për jetën e saj në West End të Londrës.

Rolin e veteranes së skenës në muzikalin e quajtur thjesht “Tina” e interpreton aktorja e kandiduar për çmimin “Tony”, Adrienne Warren, ndërsa regjisore është Phyllida Lloyd.

Por, të vihesh në petkun e këngëtares me zërin potent nuk është një sipërmarrje e lehtë. Warren është e dyzuar mes përgjegjësisë dhe entuziazmit për rolin sfidues.

“Është një presion i madh, por për mua kjo është një sfidë dhe jam shumë e ekzaltuar për këtë rol. Ndihem e nderuar për këtë përgjegjësi”, tha Adrenne Warren.

Peshën e madhe të përgjegjësisë e ka ndierë edhe regjisorja, e cila – siç thotë, – ishte përpjekur t’i jepte legjendës së muzikës atë që i takon.

“Të prodhosh një muzikal të madh është një sipërmarrje epike. Ka shumë pritshmëri, por në njëfarë mënyre puna është e njëjtë. Si mund t’i dhurosh audiencës një mbrëmje marramendëse, ashtu siç bënte ajo në koncertet e saj”, tha Phyllida Lloyd.

Muzikali u krijua në bashkëpunim me Tina Turner dhe, sipas njoftimit për shtyp, tregon historinë e patreguar të një gruaje që guxoi të sfidonte kufijtë e moshës, gjinisë dhe racës.

Muzikali do të shfaqet në Teatrin “Aldwych” në Londër, në prill të vitit 2018.

Top Channel